Glauk Konjufca për gjendjen me Covid: Përgjegjësinë kryesore e ka Qeveria, gabimi ishte hapja totale

  • E.K /
  • 17 shtator 2021 - 18:45
 Glauk Konjufca për gjendjen me Covid: Përgjegjësinë kryesore e ka Qeveria, gabimi ishte hapja totale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë mbrëmë se Qeveria ka përgjegjësi për rritjen e numrit të të infektuarve me virusin Covid-19 në Kosovë.

Ai në emisionin Rubikon ka thënë se përgjegjësia kryesore për rritjen e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid-19 është e qeverisë dhe e profesionistëve shëndetësorë.

“Ka përgjegjësi, qysh s’ka. E ka përgjegjësinë kryesore. Përgjegjësia kryesore pse janë kaq të infektuar dhe pse është numri kaq i lartë i të vdekurve e ka qeveria së bashku me të tona institucionet shëndetësore. Nuk mundesh me i amnistu edhe stafin shëndetësor edhe…por, beso dicka, edhe shumë jetë po shpëtohen. Edhe atë duhet me iu falënderu stafit mjekësor”, deklaroi Konjufca.

Më tutje ai tha se gabimi i Qeverisë në ballafaqimin me pandeminë ka qenë hapja totale.

“Gabimi ka qenë këtu, hapja totale. Këtu ka qenë gabimi. Qeveria e ka vendosë”, tha ai.

Javëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të numrit të të infektuarve me virusin Covid-19.

Poashtu numri i lartë ka qenë edhe i të vdekurve.

(Kosova Sot Online)