Kur presidenti mund të falë të burgosurit dhe kush prej tyre fali më shumë?

  • S.A /
  • 18 September 2021 - 08:30
Kur presidenti mund të falë të burgosurit dhe kush prej tyre fali më shumë?

Rreth një muaj burg i ka mbetur Ruzhdi Misinit, i dënuar për vrasjen e Agron Arifit në vitin 2010.

Misini që ishte dënuar me 13 vjet burg, përfitoi nga dekreti i vitit 2018 nga presidenti i atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi i cili ia fali dy vjet nga koha e dënimit. Që nga ajo kohë, Arbenita Arifi, vajza e të vrarit e ka kundërshtuar verbalisht dhe me shkresa ligjore këtë vendim të presidentit dhe çështjen e ka dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Krejt më kanë refuzuar, më kanë thënë është dekret i presidentit, nuk kemi çka të bëjmë”, tregon ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ajo e konsideron poshtëruese faktin se të dënuarit për vrasjen e babait të saj po i falet dënimi, duke mos pasur asnjë konsultë me familjen e saj, si palë e dëmtuar.

“Krimineli edhe e ka kryer vrasjen, neve na ka shkatërruar dhe prapë është liruar nga shteti. E ne, pala e dëmtuar, edhe pa kryefamiljar dhe të shkelur edhe nga Zoti edhe nga drejtësia në Kosovë”, thotë Arifi.

Nga falja përjashtohen të dënuar për vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, për falje kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë të dënuarit dhe këto aplikime shqyrtohen edhe nga një Komision për shqyrtimin e kërkesave për falje.

Megjithatë, presidenti ka të drejtën ekskluzive për marrjen e vendimit për falje apo jo.

Kush nga presidentët fali më shumë?

Fatmir Sejdiu ishte presidenti i parë i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë që iu dha e drejta për të falur të burgosur.

Nga presidentët që deri më tani ka pasur Kosova, Sejdiu e shfrytëzoi më së shumti këtë të drejtë pasi fali 124 të burgosur brenda mandatit 1,690 ditësh.

Më pak fali presidentja Atifete Jahjaga me dekrete e lëshuara për 21 të burgosur për 1,827 ditë sa ishte në krye të shtetit.

Në anën tjetër, Vjosa Osmani, presidentja aktuale e Kosovës ende nuk e ka falur asnjë të burgosur.

Tradicionalisht, presidentët kanë shpallur dekrete për falje rreth datës së përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Megjithatë, presidenti Hashim Thaçi shpalli shpesh disa dekrete brenda vitit në data të ndryshme, duke përfshirë edhe datat afër fundvitit.

Që nga viti 2009 e tutje, sipas dekreteve të publikuara në faqen zyrtare të Presidencës, në total janë falur 316 persona, nga ta vetëm 17 gra.

Miftaraj: E drejta për falje është keqpërdorur

Falja e të dënuarve me vepra të rënda si dhe pa kritere të caktuara po shihet si një nga problematikat me të drejtën e presidentit për falje, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në hulumtimin që IKD-ja e kishte publikuar në vitin 2013 ishte konstatuar se në kategorinë e të falurve nga presidenti Fatmir Sejdiu e ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi ishin përfshirë të dënuar për vrasje mizore, vrasje të rënda, krim të organizuar, vepra të ndërlidhura me narkotikë, dhunim, si dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës.

Ehat Miftaraj nga ky institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe sot mund të konstatohen shkelje nga e drejta e presidentëve për falje.

“Presidentë të caktuar këtë të drejtë jo rrallë herë e kanë keqpërdorur duke falur persona që edhe në bazë të ligjit kanë hyrë në kategori që nuk mund të përfitojnë nga falja”, thotë ai.

Kujtojmë se ish-presidenti, Hashim Thaçi një ditë para se të jepte dorëheqje nga pozita për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, kishte falur të akuzuar në rastin “Bllaca”.

Thaçi fali Bekim Sylën dhe Shpresim Ukën. Bekim Syla ishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe ishte dënuar me 12 vjet burg. Ndërkaq, Shpresim Uka në po të njëjtin rast dhe është shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë dhe ishte dënuar me 14 vjet burgim.

Përveç shkeljeve të kritereve ligjore, sipas Miftarajt, presidentët duhet të kenë kujdes që përmes faljeve të mos promovojnë apo stimulojnë vepra të caktuara penale.

“Persona të cilët kanë kryer vepra penale të caktuara, që në kohët e fundit janë kthyer në fenomomen, dhe përmes të cilave dërgohet mesazhi i faljes apo edhe i promovimit të dukurive të caktuara negative që ndodhin në Kosovë”, shprehet ai.

Sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, aktualisht në institucionet korrektuese janë 1,642 persona të burgosur, prej tyre 574 janë të paraburgosur, ndërsa 1,068 janë të dënuar.

Nga ky numër, 1,603 janë burra dhe 39 janë gra.

(Kosova Sot Online )