Pse u lirua Adem Grabovci nga akuza në rastin “Pronto”, ky është arsyetimi i Apelit

  • S.A /
  • 18 shtator 2021 - 08:18
Pse u lirua Adem Grabovci nga akuza në rastin “Pronto”, ky është arsyetimi i Apelit

Kjo gjykatë të akuzuarin Ilhami Gashi për dy pika të aktakuzës për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të Shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, i ka shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 1 viti e katër muaj.

Po ashtu, të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy viteve.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e PSRK-së se gjykata e shkallës së parë ka shkelur nenin 344 të KPP-së, duke mos lejuar dëgjimin e incizimit, por kishte konstatuar se konsiderohen të administruara, edhe pse prokuroria nuk kishte dhënë pëlqim, janë të pabazuara, për shkak se sipas Apelit, mbrojtja e as të akuzuarit nuk i kishin kundërshtuar përmbajtjen e këtyre përgjimeve.

Kjo gjykatë e ka vërtetuar si të bazuar pretendimin e mbrojtjes se nga Prokuroria e EULEX-it ishin dashur të shkatërrohen përgjimet e telekomunikimeve, për shkak se kjo prokurori, i kishte pushuar hetimet ndaj Grabovcit dhe nuk e kishte njoftuar se i njëjti i ishte nënshtruar masave të përgjimit.

Lidhur me pretendimit e PSRK-së për vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, sipas aktgjykimit të Apelit, kjo gjykatë gjen se gjendja e fakteve drejtë është vërtetuar në gjykatën e shkallës së parë.

Sipas Apelit, Ilhami Gashi përmes bisedave telefonike me të akuzuarit e tjerë i ka krijuar privilegje për punësimin e A.D., në kundërshtim me neni 18, paragrafin 1 të Ligjit për Shërbimin Civil.

Po ashtu sipas Apelit, ishte vërtetuar se Ilhami Gashi kishte krijuar privilegje për A.D, para se të shpallet konkursi për vendin e punës, në të cilin i njëjti ishte përzgjedhur dhe kishte pranuar akt emërimin në qershor 2013.

Sipas Apelit, i akuzuari Ilhami Gashi i kishte premtuar të akuzuarit Grabovci që personi A.D do të shkonte përkundër se konkursi ende nuk ishte shpallur, e një premtim i tillë sipas Apelit, konsiston në keqpërdorim të autorizimit të të akuzuarit Ilhami Gashi brenda kompetencave të tij.

Për këto arsye, sipas Apelit, gjendja faktike ishte vërtetuar drejtë dhe nuk kishte vërtetim të gabuar apo jo të plotë gjendjes faktike, ashtu siç pretendon PSRK-ja.

Sipas kësaj gjykate, diskutimet mes të akuzuarve kanë provuar faktin se i akuzuari Ilhami Gashi kishte bashkëpunuar me të akuzuarit tjerë për të krijuar privilegje dhe përparësi në raport me kandidatët e tjerë që ishin në proces konkurrimi.

“Kolegji rikujton se i akuzuari i si përmendur ishte në cilësinë e Sekretarit të përhershëm pranë Ministrisë se Punëve të Brendshme, pra që është zyrtari më i lartë në kuadër të shërbyesve civil pranë MPB, kishte autorizimet për të përcaktuar komisionet dhe për të marr pjesë në vlerësimin e kandidateve, andaj veprimet e të akuzuarit përbëjnë keqpërdorim të autorizimeve të tij zyrtare dhe bien në kuadër të keqpërdorimit të detyrës përkatësisht të autorizimeve”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas Apelit, ishte vërtetuar se ishte shkelur dispozita e nenit 18, paragrafi 1 të Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës nr. 03/L-149 dhe dispozitës së nenit 4, paragrafi 1 të Rregullores Nr. 06/2010 për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

“Përfundimisht, Kolegji gjen se mbi gjendjen e tille faktike në raport me të akuzuarin Ilhami Gashi formësohen tiparet e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga neni 193 paragrafi 4 i KPRK-së”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërsa në lidhje me të akuzuarit Grabovci dhe Sadat Gashi, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë drejtë kishte vepruar kur mbi gjendjen e vërtetuar faktike kishte arritur në përfundim se në veprimet e të akuzuarve nuk privohen tiparet e veprës penale për të cilën akuzohen.

“Prokuroria ngarkon të akuzuarit se ata si persona zyrtar duke bashkëpunuar dhe në marrëveshje, kanë dhënë privilegj dhe përparësi ndaj A.D., për tu punësuar në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil, në qendrën e regjistrimit Civil ne Komunën e Klinës. Kolegji rikujton se privilegji apo përparësia nënkupton se: “privilegji konsiston në veprim për interes të një individi në raport me cilindo person tjetër për realizimin e një të drejte të caktuar”, rrjedhimisht vet privilegji krijon pabarazinë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas kësaj gjykate, nuk ka dilema se të akuzuarit ishin persona zyrtar, se Grabovci ishte deputet në Kuvendin e Republikës se Kosovës dhe shefi Grupit Parlamentar, i akuzuari Ilhami Gashi ishte sekretar pranë Ministrisë se Punëve të Brendshme dhe i akuzuari Sadat Gashi ishte këshilltar politik pranë Ministrisë se Punëve, por sipas Apelit, në raport me të akuzuarit Grabovci dhe Sadat Gashi, përgjegjësitë, të drejtat, autorizimet dhe detyrimet e deputetit janë të rregulluara me dispozita kushtetuese, të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetit nr. 03/L-111, Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës të 29 prillit 2010.

“Nga pozita e deputetit dhe shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, qartazi rezulton se i akuzuari nuk kishte kompetencë për çështjen e rekrutimit të punonjësve në shërbimin civil, rrjedhimisht as nuk mund të kishte keqpërdorim të autorizimeve në këtë aspekt, pasi që këto autorizime nuk ekzistonin në pozitën që mbante i akuzuari”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërsa në raport me të akuzuarit Sadat Gashi, sipas Apelit, e njëjta linjë e argumentimit të arsyetimit vlen për pretendimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalimit të detyrës zyrtare si për të akuzuarin Grabovci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Apelit, bazuar në Rregulloren e Punës së Qeverisë së Kosovës 9/2011, këshilltari politik nuk hyn në domenin e fushës së rregullimit ligjor të shërbyesve civil, rrjedhimisht nuk kishte ndonjë kompetencë dhe autorizime për rekrutimin e zyrtarëve të shërbimit civil pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, andaj sipas Apelit, i akuzuari duke mos pasur autorizime të tilla në kuadër të pozitës të cilën e mbante, nuk rezulton as tejkalimi i kompetencave, objektivisht edhe nuk mund ta kryente veprën penale sipas kualifikimit juridik për të cilën akuzohet.

Tutje, Apelit ka theksuar se me rastin e shqyrtimit dhe gjetjes fajtor të akuzuarit Ilhami Gashi, ka vlerësuar rrethanat rënduese si: pozitën e lartë në hierarkinë institucionale, pasi sipas Apelit, nga zyrtarët që udhëheqin pozitat e tilla pritshmëritë do duhej të ishin që të jenë model i respektimit të dispozitave ligjore nga punonjësit e tjerë respektivisht vartësit e tij.

Po ashtu, rrethanë tjetër rënduese Apeli ka përmendur faktin se rekrutimi në shërbimin civil mbi baza jo meritore është një praktikë që eviton konkurrencën në punësim, ndikon në kualitetin e shërbimeve, dëmton integritetin dhe performancën e institucioneve, njëkohësisht eliminon një komunitet të tërë të njerëzve të ndershëm që besojnë në parimet dhe vlerat e konkurrencës së drejtë dhe meritore në punësim.

Sipas vendimit të Apelit, pasi i akuzuari Ilhami Gashi kishte pasur autorizime për të përcaktuar komisionet dhe për të marrë pjesë në vlerësimin e kandidatëve, atëherë ishte e domosdoshme që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo shërbimin publik, pasi që rezulton i provuar fakti se i akuzuari kishte keqpërdorur autorizimet e tij në cilësinë e zyrtarit që ishte.

Tre të akuzuarit me 9 shtator 2021, kishin kërkuar nga Apeli që të refuzohet ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të njëjtit të lirohen nga akuza.

Ndryshe, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç`rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin.

Ky vendim i Supremes kishte ardhur pasi mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar kësaj gjykate me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Ndryshe, ky rast kishte shkuar në Gjykatë Supreme edhe me ankesë të Prokurorisë Speciale dhe të mbrojtësve së të akuzuarve.

Por, në nëntor të vitit 2020, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes një komunikate për media, kishte bërë të ditur se kishte refuzuar ankesat e prokurorisë speciale dhe ato të mbrojtësve dhe kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Apelit, ndaj tre të akuzuarve në rastin e njohur si “Pronto”, Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sadat Gashi.

Ata akuzoheshin për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e Apelit, me 30 qershor 2020, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtor Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Adem Grabovcit, i cili ishte liruar nga akuza nga shkalla e parë, Apeli i ka shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Grabovcit i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi është dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Kurse për të akuzuarit tjerë në këtë rast, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit kishin parashtruar mbrojtësi i Grabovcit, avokati Florent Latifaj, mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gëzim Kollqaku, si dhe mbrojtësi i Sadat Gashti, avokati Mahmut Halimi, të cilat janë paraqitur edhe në seancën e mbajtur në Gjykatën Supreme, më 29 shtator të këtij viti.

Pas seancës, Supremja kishte vendosur të aprovoj vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të akuzuarve A.G., I.G. dhe S.G., për shkak të veprave penale shkelja e statusit të barabartë të shtetaseve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, duke vendosur lidhur me ankesën Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të dënuarve, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës publike, më 29 shtator 2020, me aktgjykimin PA.II.nr.3/2020, refuzoi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, A.G., I.G. dhe S.G., ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.”, thuhej në komunikatën e Supremes.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 3 janar të këtij viti kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve në rastin e njohur “Pronto”.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.

Ndryshe, gjykimi për këtë rast ka nisur më 15 nëntor 2018, ku në seancën fillestare të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Mirëpo Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzoheshin këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. 

(Kosova Sot Online )