Masa të rrepta sigurie në Capitol, pritet tubim i përkrahësve të Trumpit

  • G.G /
  • 18 September 2021 - 14:14
Masa të rrepta sigurie në Capitol, pritet tubim i përkrahësve të Trumpit

Qindra policë do të jenë në krye të detyrës të shtunën përreth ndërtesës së Capitol-it të ShBA-së si masë sigurie para një tubimi të përkrahësve të atyre që i shkaktuan trazirat e 6 janarit duke u përpjekur ta kundërshtonin humbjen e ish-presidentit Trump në zgjedhje.

Rrethoja e gjatë mbi 2.4 metra, e cila ishte vendosur përreth njërës prej ndërtesave më të rëndësishme amerikane pas trazirave, është kthyer përsëri. 100 pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë në gjendje gatishmërie, ndërsa zyrtarët e sigurisë po kryejnë kontrolle shtesë ndaj udhëtarëve që po vijnë në aeroportin më të afërt në Uashington në përpjekje për ta parandaluar dhunën.

Më shumë se 600 persona janë akuzuar për pjesëmarrje në dhunën e 6 janarit, e cila erdhi pas fjalimit të ish-presidentit Trump, që pretendonte pa fakte se humbja e tij në zgjedhje ka ndodhur për shkak të mashtrimeve në zgjedhje. Pretendimet e tij i kanë hedhur poshtë disa gjykata, zyrtarët e zgjedhjeve dhe vetë anëtarët e administratës së tij.

Gati 50 persona janë deklaruar fjatorë për akuzat rreth dhunës së 6 janarit. Shumica e të pandehurve janë liruar dhe po e presin gjykimin, por 75 janë ende në mbajtje, sipas dokumenteve të gjykatave, shkruan Reuters.

Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i ka vendosur në gjendje gatishmërie 100 ushtarë të Gardës Kombëtare për t’i dalë në ndihmë policisë që ta mbrojë Capitol-in, nëse është e nevojshme. Ushtarët do të aktivizohen vetëm nëse nuk mjaftojnë kapacitetet policore, tha një zëdhënës.

(Kosova Sot Online)