Kështu duken tabelat e përkohshme të Kosovës që po iu vendosen veturave nga Serbia

  • G.G /
  • 20 September 2021 - 09:12
Kështu duken tabelat e përkohshme të Kosovës që po iu vendosen veturave nga Serbia

Veturat e Serbisë dhe hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme.

Asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës, nuk mund të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.

Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq tashmë kanë nisur të hyjnë veturat e para nga Serbia në Kosovës, të cilave nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.

Ndryshe, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, obligohet që të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Kosovë të pajisen me targa të përkohshme, që sipas këtij vendimi pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.

Targat duhet të vendosen në vende të dukshme dhe për pajisjen me këto targa duhet paguar taksa prej 5 eurove.

Përmbajtja e dokumentit të nënshkruar nga ministri Sveçla:

Obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës.

Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa mjetit.

Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë.

Taksa për targat e përkohshme nga pika 1 e këtij vendimi është 5 euro.

Palët do të pajisen me vërtetim si zëvendësim i certifikatës së regjistrimit të automjetit.

Obligohet Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi.

(Kosova Sot Online)