Franca e ashpër me Australinë: Po i shqyrtojmë të gjitha opsionet

  • S.A /
  • 21 September 2021 - 11:19
Franca e ashpër me Australinë: Po i shqyrtojmë të gjitha opsionet

Ministri francez për Çështje Evropiane, Clement Beaune, tha të martën se vendi i tij është duke i shqyrtuar të gjitha opsionet për t’iu kundërpërgjigjur Australisë për prishjen e njëanshme të kontratës 40-miliardëshe për nëndetëset.

Ai tha se raportet me Australinë tani janë shumë të vështira. “Ne nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kemi nevojë që t’i shikojmë të gjitha mundësitë”, tha Beaune para një takimi me homologët e vendeve të BE-së në Bruksel. Ministri francez i mirëpriti përkrahjen e ministrave të BE-së nga Nju Jorku, duke theksuar se kjo është çështje evropiane e jo vetëm një problem i Francës dhe se blloku duhet të jetë më kategorik në mbrojtjen e interesave të veta, shkruan Reuters.

Franca ka reaguar edhe kundër Britanisë, të cilën e ka kritikuar edhe për moszbatimin e duhur të marrëveshjes me BE-në për periudhën pas Brexit-it. “S’mund të thuash se do t’i zbatosh gjërat që iu konvenojnë britanikëve dhe t’i hedhësh ato që nuk iu konvenojnë. Prandaj, besimi, konsistenca, respektimi i marrëveshjeve mendoj se janë thelbësore” deklaroi Beaune.

Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, tha se pakti Aukus, i nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe e Australia, është thirrje për t’u zgjuar për Bashkimin Evropian dhe se rindërtimi i besimit nuk do të jetë i thjeshtë.

(Kosova Sot Online )