Nagavci: Synojmë që mësimi në shkolla të fillojë me 27 shtator

  • S.A /
  • 21 September 2021 - 11:31
Nagavci: Synojmë që mësimi në shkolla të fillojë me 27 shtator

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se synojnë që më 27 shtator të fillojë mësimi në shkolla dhe puna në çerdhe.

Nagavci u shpreh se deri në fundjavë pritet të merret vendimi.

“Shumë mirë që po ulen numrat, e po besoj që kur të shqyrtohen masat do të mundësohet fillimi i vitit të ri shkollor me prezencë fizike, në bazë të udhëzuesit. Udhëzuesi i ka katër skenar, ku varësisht prej situatës nëpër komuna do të vendoset”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se synimi është që të kthehen me mësim fizik në shkolla më 27 shtator, e po ashtu të hapen edhe çerdhet. “Varet plotësisht prej rekomandimeve të IKSHPK-së, ashtu siç kemi vepruar deri më tash. Kanë qenë rekomandimet e IKSHPK-së. Do të rishqyrtohen masat, janë në fuqi deri më 26, do të shqyrtohen edhe njëherë, mandej edhe vendimi, unë pres që me qenë një vendim që e mundëson edhe mësimin”, tha Nagavci.

Ajo u shpreh se kanë takime të rregullta me drejtorët komunal të arsimit.“Takimet i kemi të rregullta, dje kemi pasur takimin me Task Forcën dhe me DKA-të. Në Task Forcë përfshihen edhe përfaqësues të prindërve, komunave edhe SBASHK-u. Takimet janë të rregullta, ne kemi qenë gati, por rekomandimet e IKSHPK-së kanë qenë që me u pezullu”.

(Kosova Sot Online )