Refuzoi t’i shërbente pa e vendosur maskën, gjermani vret punëtorin 20-vjeçar të pompës

  • G.G /
  • 21 September 2021 - 12:42
Refuzoi t’i shërbente pa e vendosur maskën, gjermani vret punëtorin 20-vjeçar të pompës

Politikanët në Gjermani kanë shprehur shqetësim rreth radikalizimit të atyre që s’pajtohen me masat kufizuese në pandemi, pasi një gjerman 49-vjeçar u arrestua nën dyshimin se ka vrarë një punëtor të pompës së derivateve, pasi ky i fundit refuzoi t’i shërbente pa e vendosur maskën.

Autoritetet në qytezën perëndimore, Trier, thanë se i dyshuari u ka thënë policëve se ka vepruar nga zemërimi, pasi arkëtari 20-vjeçar në një pompë derivatesh i kërkoi që ta vendoste maskën, shkruan The Guardian.

Sipas prokurorit shtetëror, i dyshuari ishte ndier sikur është zënë në një qoshe dhe viktimën e cilësonte “përgjegjëse për tërë situatën në përgjithësi, sepse ai po i zbatonte masat”.

I dyshuari u fut të shtunën në pompën “Aral” rreth orës 7 e 45 minuta në mbrëmje dhe mori një paketim me gjashtë birra. Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet se ai kishte maskë të vendosur në xhepin e pasmë të pantallonave.

Pasi arkëtari i kishte thënë dy herë se është e obligueshme që të vendoset maska përderisa ndodhet brenda lokalit, burri i kishte lëshuar birrat pas shkëmbimit të shkurtër të fjalëve.

Ai u kthye dy orë më pas, kësaj radhe me maskë në fytyrë, të cilën e tërhoqi nën mjekër. “Ai nxori një revolver nga xhepi dhe e qëlloi një herë në mënyrë fatale studentin 20-vjeçar nga Idar-Obstein”, tha policia.

I dyshuari iku nga vendi i ngjarjes, por u dorëzua në polici mëngjesin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online)