Dëshmitari s'ia përmend emrin e të akuzuarit: Emrin kam thanë s’dua me ia përmend në jetë

  • G.G /
  • 21 September 2021 - 12:55
Dëshmitari s'ia përmend emrin e të akuzuarit: Emrin kam thanë s’dua me ia përmend në jetë

Dëshmitari i parë në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës ka vazhduar të japë dëshminë e tij në sallën e gjyqit.

Ai i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit rreth pretendimit të tij se është rrahur në një vend, të cilin s’e mban mend mirë.

“Pas rrahjes dy persona më kanë marrë, por nuk e di kush kanë qenë”.

Prokurori e ka pyetur për grupin “Skifterat”, për të cilin dëshmitari pohoi se ishin ata që e kanë rrahur, por se nuk e di kush janë.

“Nuk e di, veç kam dëgjuar fjalën, po kush janë se di. Nuk marr vesh unë. Normal ata kanë qenë skifterat. Në atë kohë nuk e kam ditë, më vonë kam dëgjuar t’u i përmendë që ata kanë qenë skifterat. Më vonë e kam kuptuar. As tash nuk e di çka janë skifterat. E kam fjalën për ata njerëzit në Zllashë”.

Prokurori ka publikuar edhe fotografi të shtëpisë, për të cilën dëshmitari thotë se në bodrumin e saj u rrah.

“Po ma merr mendja se është vendi ku më kanë trajtuar. Aty poshtë në bodrum. Unë kam nejt në bodrum gjatë gjithë kohës. I kam pasë sytë e mbyllur edhe s’kam mund me pa kurrgjë, po me siguri është qaj nalt”.

Dëshmitari tha se nuk e di saktë se në cilën prej atyre ndërtesave në fotografi ishte mbajtur meqë kur është liruar ka ikur pa shikuar shumë.

“Jo nuk më kujtohet nga kam dal. Na kanë nxjerrë prej dere edhe kanë thënë hupni prej këtuhit, shkoni ka të doni. Kur kam dal prej aty kam pa shumë njerëz jashtë dhe veç kemi këqyr me ikë kah kemi mujtë. Kemi pasë frikë, as s’kam këqyr shtëpi.  Ka qenë gjendje lufte, kurrkush s’ka këqyrë për askënd, secili ka këqyre qysh me u fsheh për vete. Më ka interesuar jeta jem qysh me shpëtuar. Kam këqyr pak sa më ditë ku kam qenë. S’kam këqyr krejt. Me tregu drejt ka qenë gjendje lufte, askujt s’i ka interesuar për kërkon, veç me rujtë veten me ikë  e m’u fsheh se në atë ditë që jam dal u kanë ofensiva”.

Prokuroria i ka treguar dëshmitarit edhe një pamje tjetër që s’u publikua, por dëshmitari tha se e ka harruar pak.

“Poshtë kemi nejt na e nalt kanë nejt ushtria, ushtarët, policë a çka kanë qenë ata. Ka kaluar pak kohë”.

“Siç mund ta shohësh ka dy pjesë e dua të na flasësh për këto. Djathtas ke përmendur emrin e dikujt, çka është ky emër?”, ka pyetur prokurori.

“Po, ky ka qenë komandant i UÇK”.

Ndërsa, për emrin tjetër që kanë qenë i vizatuar, dëshmitari ka thënë se është emri i Salih Mustafës.

“Ky është emri i të akuzuarit. Emrin kam thanë s’dua me ia përmend në jetë”.

“Këtë vizatim e ke ndarë në dysh, nga ana e djathtë ke shkruar Fatmir Sopi, në anën tjetër emri i të akuzuarit. Po ky vizatim çfarë tregon a mund t’i thuash gjykatës?”, ka pyetur prokurori.

“Këta dy emrat janë diku në afërsi 1km larg njëri-tjetrit. Domethënë në anën e djathtë kanë qenë ushtria, e këtu janë kanë policia ushtarake”.

(Kosova Sot Online)