Trumpi padit mbesën e vet dhe gazetën New York Times

  • G.G /
  • 22 September 2021 - 10:34
Trumpi padit mbesën e vet dhe gazetën New York Times

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka paditur mbesën e vet dhe gazetën e njohur amerikane, “New York Times”, për një artikull të vitit 2018, në të cilin pretendohej se ai ishte i përfshirë në skema të dyshimta me taksa.

Në padinë e paraqitur në Nju Jork, Mary Trump dhe gazeta “New York Times” akuzohen për “përfshirje në komplot tinëzar” me qëllim për të siguruar dokumente konfidenciale, shkruan BBC.

Në padi pretendohet se zonja Trump ka shkelur një marrëveshje e cila ia ndalonte zbulimin e dokumenteve. Ajo vetë kishte pranuar se ka qenë burim i lajmit të gazetës.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë vazhdimisht i ka mohuar pretendimet që janë paraqitur në librin e mbesës dhe nuk kishte arritur që ta parandalonte botimin e tij, ndonëse kishte paraqitur padi për këtë qëllim.

Në një padi të re të paraqitur në një gjykatë shtetërore, gazetarët e gazetës “New York Times”, Susanne Craig, David Barsto dhe Russell Buettner, akuzohen për kontakte dhe punë me mbesën e ish-presidentit me qëllim të hakmarrjes personale kundër tij.

Një zëdhënëse e gazetës së njohur në ShBA e në mbarë botën tha se padia e ish-presidentit Trump është përpjekje për t’ua mbyllur gojën organizatave të pavarura mediale.

(Kosova Sot Online)