Përparim Rama: Biblioteka Kombëtare është arsyeja që unë i kam hyrë arkitekturës

  • G.G /
  • 22 September 2021 - 14:26
Përparim Rama: Biblioteka Kombëtare është arsyeja që unë i kam hyrë arkitekturës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, e ka vlerësuar objektin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, duke thënë se për shkak të saj ai edhe i ka hyrë profesionit të tij, arkitekturës.

“Kam jetuar në Ulpianë, dhe si i vogël kam ardhur këtu me shokët dhe kemi luajtur këtu si fëmijë e kemi shëtitur me biçikleta. Pra ka qenë një pjesë e jetës sime si i vogël. Më ka stimuluar mënyrën e të menduarit sepse e kam parë si një arkitekturë krejt të ndryshme prej çfarëdo tjetër”.

Për emisionin Rubikon në Klan Kosova ai u shpreh se pas udhëtimeve të tij të shumta nëpër botë, e ka parë që e kemi një ndërtesë me një karakter unik në botë dhe e prezanton Prishtinën si një ikonë.

Megjithatë Rama deklaroi se kjo ndërtesë duhet mirëmbajtur dhe kujdesur më shumë për të, e sidomos hapësira përreth saj, sepse siç tha, ikonat e qytetit tonë duhet t’i trajtojmë edhe më mirë.

“Është prej vitit 1982 dhe mirëmbajtja e saj nuk është në nivelin që e meriton. Nuk e çmojmë trashëgiminë tonë kulturore, historike e arkitektonike dhe për atë gjërat shëmtohen dhe nuk shfrytëzohen”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)