U zunë me 9 qese marihuanë, Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve

  • G.G /
  • 23 September 2021 - 11:13
U zunë me 9 qese marihuanë, Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj dy të pandehurve,  F.B.,  dhe E.L., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Sipas kërkesës, më 21 shtator 2021, në fshatin Pjetershan, Komuna e Gjakovës, përderisa ishin duke lëvizur me veturë, të dyshuarit F.B., dhe E.L., ndalohen nga patrulla e policisë kufitare, rajoni “Perëndimi”,  ku gjatë kontrollit, tek ulësja e pasagjerit janë gjetur nëntë (9) qese të mbushura me substancë bari, ngjyrë të gjelbër që dyshohet të jetë narkotikë i llojit Marihuanë, e të cilën gjithashtu dyshohet se e kishin blerë në Shqipëri tre ditë më përpara se të ndaloheshin nga policia”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i rastit ndaj dy të pandehurve, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 21 shtator 2021.

(Kosova Sot Online)