Partia e Merkelit: Në pushtet mund të vijnë majtistët ekstremë, pasardhës të komunistëve

  • G.G /
  • 23 September 2021 - 11:36
Partia e Merkelit: Në pushtet mund të vijnë majtistët ekstremë, pasardhës të komunistëve

Konservatorët e kancelares Angela Merkel i kanë paralajmëruar votuesit gjermanë për rrezikun që në mënyrë të tërthortë ta sjellin në pushtet partinë e së majtës ekstreme, Die Linke, pasardhëse e komunistëve, që dikur ishin në pushtet në Gjermaninë Lindore.

Pasi doli i dyti në anketën më të re, pasardhësi i Merkelit në partinë e saj, Armin Laschet, po paralajmëron se nëse zgjedhjet i fitojnë socialdemokratët, ata do t’i merrnin në pushtet edhe majtistët ekstremë, shkruan Reuters.

“Duhet të keni pozicion të qartë për ekstremistët. Nuk po kuptoj pse e ke kaq të vështirë të thuash “Nuk hyj në koalicion me këtë parti”, i tha Laschet kundërkandidatit të tij socialdemokrat, Olaf Scholz, gjatë një debati televiziv këtë muaj.

Për konservatorët, majtistët ekstremë të partisë “Die Linke” janë po aq të padëshirueshëm sa partia e së djathtës ekstreme, AfD. Të gjitha partitë e mëdha janë zotuar se AfD-në nuk do ta pranojnë si pjesë të kabinetit të ri qeveritar.

Në anën tjetër, Scholz ka bërë të qartë se Të Gjelbrit janë partnerët e tij të parapëlqyer në qeverisje, por konservatorët thonë se ai do të ketë nevojë për një parti të tretë për ta formuar koalicionin dhe, sipas tyre, socialdemokratët janë më të afërt rreth politikave sociale me partinë “Die Linke” sesa me “Demokratët e Lirë”.

Partia e së majtës ekstreme i ka vënë në pikëpyetje përkushtimin e Gjermanisë ndaj aleancës së NATO-s dhe vazhdimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)