Rasti i Salih Mustafës: Dëshmitari i parë përfundon dëshminë, i dyti dëshmon sot gjatë ditës

  • G.G /
  • 23 September 2021 - 14:30
Rasti i Salih Mustafës: Dëshmitari i parë përfundon dëshminë, i dyti dëshmon sot gjatë ditës

Dëshmitari i parë në gjykimin e Salih Mustafës para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka përfunduar dëshminë e tij pas katër seancave që janë mbajtur një pas një gjatë javës.

Kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt Foglia e ka falënderuar dëshmitarin 03593 për dëshminë e tij duke ia kujtuar që të mos flasë me askënd për deklaratën që ke dhënë.

“Po bëhen katër ditë që je këtu me ne, ma merr mendja se ka qenë e lodhshme dhe e vështirë për ty dhe të falënderoj që ke qenë këtu këto ditë me ne. Na ke ndihmuar shumë në përpjekjen tonë për të zbuluar të vërtetën. Të uroj udhëtim të mbarë dhe të kujtoj edhe një herë që të mos flasësh me askënd për deklaratën që e ke dhënë para Gjykatës Speciale të Kosovës”.

Kryegjykatësja ka njoftuar se me fillim nga ora 14:30 do të nisë një seancë e re ku do të shfaqet dëshmitari i dytë në rastin ku është i akuzuar ish-eprori i UÇK-së Salih Mustafa i njohur si Cali.

(Kosova Sot Online)