Gastronomia, shërbimi brenda vetëm për të vaksinuarit dhe ata me teste

  • E.K /
  • 23 September 2021 - 16:12
Gastronomia, shërbimi brenda vetëm për të vaksinuarit dhe ata me teste

Sot është mbajtur një takim virtual i kryetarëve të komunave me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku është diskutuar për situatën me pandeminë COVID-19.

Në këtë diskutim është biseduar edhe për masat e reja që pritet të merren pas datës 27 shtator të këtij viti.

Ministri Vitia ka informuar kryetarët e komunave edhe për masat e reja që pritet të merren pas kësaj date.

Sipas propozimit të ministrit Vitia, masat për gastronominë pritet të qëndrojnë të njëjta, pra lokalet dhe bizneset e gastronomisë pritet të punojnë deri në ora 21:30.

“Gastronomia do të vazhdojë me të njëjtin orar. Lejohet puna brenda lokaleve për personat që ofrojnë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse. Kjo nuk vlen për ambientet e jashtme të gastronomisë”, thuhet në propozimin e ministrit për masat e reja.

Rrjedhimisht, gastronomët që do të zhvillojnë punën në ambiente të mbyllura për shkak të motit, do të detyrohen që të kërkojnë dëshmi nga klientët për vaksinim kundër COVID-19 ose testet përkatëse.

Gjithashtu sipas njoftimit, orari i lëvizjes do të mbetet i njëjtë nga ora 22:00 – 05:00.

(Kosova Sot Online)