Ragmi Mustafit i shkon edhe një padi nga Serbia, e lidh me reciprocitetin e vendosur nga Kosova

  • E.K /
  • 23 September 2021 - 17:35
 Ragmi Mustafit i shkon edhe një padi nga Serbia, e lidh me reciprocitetin e vendosur nga Kosova

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi ka njoftuar se i është ngritur një tjetër padi nga Serbia për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në selinë e Këshillit

Mustafi ka shkruar në Facebook se kjo padi i erdhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për çështjen e targave.

“Kjo padi ngritet pasi që Kosova ka ndërmarrë masat e reciprocitetit në targa. Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, megjithatë duket e çuditshme ashtu si edhe paditë paraprake se si përputhet në kuptimin kohor me rrethanat politike dhe qëndrimet e mia në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, ka shkruar Mustafi.

Ai shkroi ndër tjerash se “nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim”.

Reklamë

“Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me I përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi I Millosheviqit, nuk do të mundet as ky i Vuçiq”, shkroi Mustafi.

Postimi i plotë:

PËRNDJEKJE POLITIKE – PADIA E RADHËS KUNDËR NGRITJES SË FLAMURIT KOMBËTAR SHQIPTAR

Sot, pranova ftesën e radhës nga gjykata e Vrajës, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, më 28 nëntor 2020.

Si edhe dy herëve të kaluara, akuzohem dyfishtë për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar”.

Kjo padi ngritet pasi që Kosova ka ndërmarrë masat e reciprocitetit në targa. Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, megjithatë duket e çuditshme ashtu si edhe paditë paraprake se si përputhet në kuptimin kohor me rrethanat politike dhe qëndrimet e mia në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Shihet qartë se po rriten çdo ditë e më shumë, jo vetëm presioni por edhe përndjekja politike dhe ligjore e pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi, e në Luginën e Preshevës. E akuza e ripërsëritur për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar” nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si përndjekje politike.

Mund edhe të më dënoni vazhdimisht, por si prijës i Këshillit Kombëtar Shqiptar nuk do të zmbrapsem politikisht nga beteja e drejtë e ligjore për lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me I përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi I Millosheviqit, nuk do të mundet as ky i Vuçiq.

Edhe njëherë, e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe germat e Kushtetutës së Serbisë.

Pra, në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektoj Kushtetutën e saj dhe të filloj demokratizimin e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar Ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta përputhur me Kushtetutën e saj dhe standardet demokratike.

Serbia nuk mund ta përzgjedh flamurin e shtetasve të saj shqiptar. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët!

Prandaj ligji do të ndryshojë, flamuri JO!.

Uroj që Prishtina dhe Tirana zyrtare të jenë më dinamike në sensibilizimin e qarqeve diplomatike ndërkombëtare ndaj presioneve dhe diskriminimit të shqiptarëve në Serbi.

(Kosova Sot Online)