Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Salih Mustafës

  • G.G /
  • 24 September 2021 - 10:08
Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Salih Mustafës

Sot do të vazhdojë gjykimi kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Dëshmitari i parë në gjykimin e Mustafës e ka përfunduar dëshminë e tij pas katër seancave që janë mbajtur një pas një gjatë javës, ndërsa poashtu dje filloi intervistimi i dëshmitarit të dytë.

Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020.Ndaj Salih Mustafës , ish- Komandant Calit, është konfirmuar aktakuza e Prokurorisë së Specializuar për krime lufte.

Sipas aktakuzës, Mustafa do të përballet në gjyqin e Hagës për vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar të civilëve gjatë kohës së luftës në Kosovës.

Aktakuza thotë se Salih Mustafa, ish-Komandant Cali, ishte epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, të cilët vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim i sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Aktakuza e ngarkon Mustafën se mes 1 dhe 19 prillit 1999-të së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me roje, në një stallë të kyçur dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Aktakuza thotë se i akuzuari Salih Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, kishin kryer trajtim mizor sepse 6 të ndaluarëve nuk u kishin dhënë mjaftueshëm ushqim, ujë dhe nuk u kishin siguruar kushte higjienike dhe sanitare, fjetje, strehim dhe të kujdesit shëndetësor.

Pika e akuzës që  ngarkon Mustafën me torturë thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së u shkaktuan viktimave të ndaluara, vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike.

Aktakzua ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellur perosnin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur dhe shënjestruar më shumë se personat e tjerë.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës së ndalimit të personit të vrarë, familjarët e tij vazhdimisht kishin kërkuar informata rreth tij, por nuk u ishin dhënë informata të plota, ose u ishin dhënë informata të rreme.

(Kosova Sot Online)