E çuditshme: Vullkani shkatërron qindra shtëpi, një shpëton mrekullisht

  • G.G /
  • 24 September 2021 - 09:10
E çuditshme: Vullkani shkatërron qindra shtëpi, një shpëton mrekullisht

Një shtëpi në Ishujt Kanarine i ka shpëtuar mrekullisht lavës së vullkanit. Në pamje shihet shtëpia e rrethuar me peizazhin e zi të mbuluar me derdhje vullkanike.

Përdoruesit e rrjeteve sociale e quajtën atë “shtëpi e mrekullisë”. Pronarët e saj, një çift i pensionuar danez, të cilët nuk ndodhen në ishull, thanë se u ndien të lehtësuar që shtëpia ende po qëndron, sipas personit që e ndërtoi atë, Ada Monnikendam.

“Ne të gjithë filluam të qanim si të çmendur, kur u tregova se shtëpia e tyre e dashur është e paprekur”, i tha Monnikendam gazetës “El Mundo”.

Shtëpia që shpëtoi ndodhet në El Paraiso, ku gjysma e shtëpive dhe një shkollë janë shkatërruar, shkruan The Guardian.

Zyrtarët thanë se një “lumë” gjigant i lavës, 600 metra i gjerë, u ngadalësua në vetëm katër metra në orë, pasi arriti në një rrafsh të mërkurën. Të hënën, vetëm një ditë pas shpërthimit të vullkanit, lava po lëvizte shumë më shpejt – 700 metra në orë.

Autoritetet kanë thënë se lava ka mbuluar një sipërfaqe prej 166 hektarësh dhe ka shkatërruar rreth 350 shtëpi. Shkencëtarët thonë se lëvizja e lavës mund të zgjasë me javë ose muaj.

(Kosova Sot Online)