Hekuran Murati numëron sukeset e Qeverisë Kurti, sa i përket menaxhimit të situatës me pandeminë

  • E.K /
  • 24 September 2021 - 23:26
Hekuran Murati numëron sukeset e Qeverisë Kurti, sa i përket menaxhimit të situatës me pandeminë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka numëruar sukseset e Qeverisë Kurti, sa i përket menaxhimit të situatës me pandeminë.

Murati, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ka numëruar edhe akuzat të cilat ia bënë partitë opozitare, kësaj qeverie lidhur me menaxhimin e pandemisë.

Shkrimi i plotë:

Fakte për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Qeverinë Kurti 2:

Na akuzuan për dështim në sigurimin e vaksinave, thirrën interpelancë për këtë gjë, dhe madje shkuan aq larg sa publikuan edhe dokumente konfidenciale të negociatave duke e ditur mirë që një gjë e tillë rrezikonte braktisjen e negociatave nga kompania. Ishin të gatshëm të rrezikonin furnizimin me vaksina, në kurriz të qytetarëve, vetëm e vetëm që t’ia faturonin si dështim Qeverisë.

 Në afat rekord u negociua dhe nënshkrua kontrata me Pfizer për 1.2 milionë vaksina, dhe u siguruan edhe 1 milionë vaksina donacione. Që të gjitha të aprovuara nga FDA Amerikane ose EMA Evropiane.

 Na thanë që janë të gatshëm t’i ndihmojnë Qeverisë në menaxhimin e pandemisë.

 E vetmja “ndihmë” që morrëm nga ta ishte kundërshtimi i masave sa herë që Qeveria vendosi të tilla, dhe shpërndarja e teorive konspirative për numrat e infektimeve, dhe efikasitetin e afatin e skadencës së vaksinave. Të gjithëve na kujtohen skenat në Kuvend teksa mbanin fjalime duke bërë thirrje për hapjen e dasmave, teksa “llogarisnin” se sa para po humbte vendi çdo ditë që sallat e dasmave nuk hapeshin.

 Kur numrat e infektimeve po binin në muajin maj, thanë se nuk ishte si rezultat i punës së Qeverisë por se një rënie e tillë ishte trend global.

 Pas masave të vendosura për të ndalur hovin e variantit Delta, kemi rënien më të thellë dhe më të shpejtë të rasteve ndonjëherë, teksa shumë vende në rajon e Evropë po vazhdojnë të përkeqësohen.

 Gjatë fushatës zgjedhore në muajin shkurt, zotimi ynë për të vaksinuar 60% të popullatës së vaksinueshme deri në fund të vitit u dukej aq i paarritshëm sa që nëpër studio televizive edhe talleshin me këtë gjë.

 Sot, ende pa mbaruar shtatori, kur kanë mbetur edhe 3 muaj deri në fund të vitit, janë administruar 1.3 milionë doza, dhe janë vaksinuar 63% e popullatës së vaksinueshme, apo 42.5% e popullatës së tërësishme. Duke përmbushur kështu zotimin që dikur konsiderohej i paarritshëm, 3 muaj para kohe.

 Na akuzuan se nuk po vaksinonim mjaftueshëm e shpejtë, dhe se vendet e rajonit po e bënin këtë gjë më mirë se ne.

 Megjithëse filluam të fundit në rajon, jo për faj të kësaj Qeverie, tani kemi tejkaluar shumicën e shteteve të rajonit, dhe deri në fund të javës së ardhshme do t’i kemi tejkaluar që të gjitha shtetet tjera, me përjashtim të Sllovenisë. Norma ditore e vaksinave të administruara brenda një dite, tashmë sa kohë na vendos në top 10 shtetet me vaksinimin më të shpejtë në botë.

(Kosova Sot Online)