Me peshë të rëndë mbi supe, policët e Kosovës ecin në këmbë me kilometra në veri

  • G.G /
  • 25 shtator 2021 - 13:34
Me peshë të rëndë mbi supe, policët e Kosovës ecin në këmbë me kilometra në veri

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës (Njësia Speciale Operacionale) dhe (Njësia Speciale Intervenuese) së bashku me policët kufitarë dhe zjarrëfikësit tash e gjashtë ditë detyrohen të ecin këmbë rreth katër kilometra për ta bërë ndërrimin me kolegët e tyre. Kjo pasi që barrikadat e vendosura nga serbët kanë paralizuar pjesën e rrugës që çon drejt pikëkalimit kufitar në Jarinje dhe lëvizja është e mundur vetëm në këmbë.

Në fillim të rrugës që të dërgon në Jarinje, qëndron një veturë e Policisë së Kosovës, dhe pak metra më tutje fillon barrikada e gjatë e serbëve me mjete të rënda.

Kamionë, buldozerë e madje edhe autobusë janë të vendosura përgjatë rreth 4 kilometrave të rrugës që të dërgon në pikën kufitare në Jarinje.

Përgjatë bllokadës, çdo 200 metra shihen grumbuj serbësh lokalë të cilët qëndrojnë pranë automjeteve të rënda, si dhe në tenda ku bëhet ‘grill’ dhe dëgjohet muzikë nacionaliste serbe.

Ecja disa kilometërshe e Policisë së Kosovës të cilët janë të armatosur, ka kaluar e qetë këto ditë, megjithatë përgjatë rrugës ata provokohen nga këngë nacionaliste të cilat lëshohen me zë të lartë.

Policia formon rreshtin që ndahet në dysh dhe ecin përgjatë skajeve të rrugës, derisa të arrijnë tek autoblindat në fund të bllokadës. Ata detyrohen të futen edhe në mes të kamionëve për të arritur në destinacion.

Shkaku i rrugës së bllokuar, qytetarë të shumtë poashtu detyrohen ta përshkojnë në këmbë e me valixhe, nga pikëkalimi kufitar për t’u futur në Kosovë dhe anasjelltas.

Nga e hëna e 20 korrikut, qeveria e Kosovës ka marrë vendim për reciprocitet me Serbinë sa i përket targave të automjeteve.

Vendimin e ekzekutivit kosovar e kanë kundërshtuar serbët lokalë të cilët kanë bllokuar rrugën që të dërgon për tek pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Sa i përket situatës në veri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë në dialog.

“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë Escobar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas situatës së krijuar ka pasur takim me QUINT-in dhe një takim ndaraz me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA’së në Prishtinë. Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe kanë potencuar se janë të nevojshme hapat për shtensionimin e situatës në veri të Republikës së Kosovës.

Kurti ka deklaruar se reciprociteti i targave mund të largohet vetëm nëse një vendim të tillë e merr edhe Serbia.

(Kosova Sot Online)