Albin Kurti tregon se çfarë bisedoi në takim me Edi Ramën

  • E.K /
  • 27 September 2021 - 11:13
 Albin Kurti tregon se çfarë bisedoi në takim me Edi Ramën

Kryeministri Albin Kurti ka pritur me ceremoni shtetërore, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Pas takimit të mbajtur, Kurti e Rama i janë drejtuar mediave.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti ka treguar se çfarë kanë biseduar në takim.

Kurti ka thënë se në takim kanë diskutuar për të gjitha fushat e qeverisjes e janë zotuar për koordinim e sinkronizim.

Ai ka treguar po ashtu se kanë biseduar që mbledhja e të dy qeveri të mbahet në gjysmën e dytë të muajit nëntor.

“Në takimin e sotëm biseduam edhe për të gjitha fushat e qeverisjes sonë të mirë dhe në veçanti u zotuam që e shohim si tejet të rëndësishëm koordinimin dhe sinkronizimin gjithandej. Ndërlidhja mes dy vendeve për heqjen e barrierave që shkaktojnë vështirësi e pengesa mes nesh është e domosdoshme për qytetarët dhe ekonomitë tona. Nga viti 2014 e deri më tani janë mbajtur 6 mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive, ku janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle. Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, për çfarë u vendos që të fillojnë përgatitjet nga dy kabinetet tona, me synimin që mbledhja e përbashkët të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor”, ka deklaruar ai.

Kurti është shprehur se me Ramën janë dakorduar edhe që të kenë një sekretariat koordinuar për marrëdhëniet bilaterale i cili do të udhëhiqet nga Gentian Sala, që ka dy pasaporte, atë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

“Jam i gëzuar me vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, zotin Edi Rama dhe kabinetin e tij në fillim të mandatit të ri, për çfarë e uroj edhe njëherë duke i dëshiruar shumë suksese e të arritura. Mandatet e të dy qeverive tona të republikës së Kosovës dhe  republikës së Shqipërisë i kemi marrë në një kohë me përplot sfida. Përballja me pandeminë COVID-19 me variantin Delta, rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi i institucioneve demokratike janë disa prej sfidave tona për tejkalimin e të cilave do të angazhohemi së bashku. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase progresit në Shqipëri dhe zhvillimit të gjithmbarshme të shqiptarëve kudo”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)