Daut Haradinaj: Provokimet serbo-ruse në kufi e dëshmojnë të vërtetën kriminale të ish-regjimit

  • E.K /
  • 27 September 2021 - 13:18
 Daut Haradinaj: Provokimet serbo-ruse në kufi e dëshmojnë të vërtetën kriminale të ish-regjimit

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Prishtinën, Daut Haradinaj, ka reaguar pas zhvillimeve në Jarinje dhe Bërnjak.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se provokimet serbo-ruso në kufirin e Kosovës po e dëshmojnë edhe një herë të vërtetën kriminale të ish-regjimit që sot janë liderë të Serbisë.

“Provokimet serbo – ruse në kufirin e Kosovës po e dëshmojnë edhe njëherë të vërteten kriminale të ish – regjimit që sot janë liderë të Serbisë. Kosova dhe populli i saj nuk do të lejojnë në asnjë rrethanë që të cenohet liria dhe territori i saj. Në çdo rrethanë do të jemi në shërbim të vendit tonë, përkrah uniformës së vajzave dhe djemve që sypatrembur i shërbejnë rendit dhe kushtetutës sonë”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj thotë se vendosmëria e Kosovës për rrugën euro-atlantike, po e shqetëson regjimin e vjetër të Beogradit.

“Jemi më shumë se të vendosur për rrugën tonë euro – atlantike, dhe kjo po e shqetëson regjimin e vjetër të Beogradit. Është obligim qytetar që të jemi unik në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit te Kosovës, çdo kthim mbrapa do të ishte dështim”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, i shoqëruar nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan Kharchenko, vizituan të dielën njësitë serbe në Rashkë, në afërsi të kufirin në Jarinjë.

(Kosova Sot Online)