Në Universitetin e Kabulit tash për tash ndalohen profesoreshat dhe studentet

  • G.G /
  • 28 shtator 2021 - 13:02
Në Universitetin e Kabulit tash për tash ndalohen profesoreshat dhe studentet

Gratë dhe vajzat nuk do të kenë të drejtë të japin mësim ose të ndjekin ligjërata në Universitetin e Kabulit “Derisa të krijohet një mjedis islam”, tha të hënën rektori i ri i këtij institucioni, i emëruar nga talibanët.

“Përderisa nuk ofrohet një mjedis i vërtet islam për të gjithë, gratë nuk do të lejohen që të vijnë në universitete ose të punojnë. Islami së pari”, shkroi në rrjete sociale Mohammad Ashraf Ghairat.

Më herët, ai shkroi se universiteti është duke punuar për një plan për akomodimin e studenteve, por nuk tregoi se kur do të fillojë së zbatuari kjo gjë, shkruan CNN.

“Për shkak të mungesës së mësimdhënëseve gra, jemi duke punuar në një plan që mësimdhënësit burra të kenë mundësi t’i mësojnë studentet prapa një perdeje në klasë. Kështu do të krijohej një mjedis islam që studentet ta marrin shkollimin”, shkroi ai në Twitter.

Emërimi i Ghairatit në postin e rektorit të Universitetit të Kabulit është kritikuar ashpër me pretendimin se atij i mungojnë kualifikimet e nevojshme. Këto akuza i mohoi vetë i emëruari, duke thënë se e sheh veten “plotësisht të kualifikuar”.

Pas ardhjes në pushte, talibanët kanë premtuar se nuk do të jenë të ashpër dhe se do t’i respektojnë të drejtat e grave, por komuniteti ndërkombëtar e ka akuzuar grupin për shkelje të zotimeve, sidomos në fushën e të drejtave të grave.

(Kosova Sot Online)