As në privat as në të shtetit, qytetarët që rezultuan pozitiv me COVID në klinika private, mbesin pa vërtetime

  • A.P /
  • 28 September 2021 - 17:35
As në privat as në të shtetit, qytetarët që rezultuan pozitiv me COVID në klinika private, mbesin pa vërtetime

Ndonëse kanë kaluar virusin COVID-19, disa qytetarë që janë testuar e kanë rezultuar pozitiv në laboratore private, nuk po arrijnë të marrin vërtetime se janë shëruar nga virusi. E një vërtetim të tillë nuk po arrijnë ta marrin as nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Disa laboratore private thonë se qytetarët vërtetimin duhet ta marrin në të ‘shtetit’, derisa nga IKSHPK thonë se ato duhet të merren aty ku qytetarët janë testuar.

Tefik Krasniqi dhe familjarët e tij pas testimit të kryer në një nga laboratoret private në Prishtinë, kishin rezultuar pozitivë me COVID-19. Ndonëse tashmë janë shëruar nga ky virus, ata nuk po arrijnë të marrin një vërtetim që dëshmon se ata kanë qenë të infektuar më parë.

Përkundër që janë në regjistrat e personave që e kanë kaluar virusin, Krasniqi thotë për Express se nuk po arrijnë të marrin asnjë dëshmi se janë shëruar nga COVID-19.

Ai thotë se për këtë i janë drejtuar laboratorit privat ku janë testuar, por që nga i cili i kanë thënë se nuk kanë autorizim për të lëshuar vërtetime. E pas kësaj, ai tregon se i është drejtuar Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, por që as aty nuk kanë arritur t’i marrin vërtetimet.

Krasniqi deklaron se nga IKSHPK i është thënë se nuk lëshojnë vërtetime për personat që nuk janë testuar aty.

“Komplet familja e kemi kaluar koronën dhe për të udhëtuar jashtë Kosovës na duheshin vërtetime, për të mos bërë test pa nevojë, sepse jo të gjithë i kishim marr dy vaksinat. Më 21 të këtij muaji shkova në IKSHPK, duke e ditur se ata i kanë të gjitha të dhënat edhe nga laboratorët e licencuara private, e dija gjithashtu se disa kanë marr vërtetime nga ky institucion. Por këtu fillon drama. IKSHPK nuk lëshon vërtetim nëse nuk je testuar në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të QKUK’së. Më udhëzuan të shkoi ku jam testuar.  Shkova e ata më thonë: Ne jemi të licencuar për testime dhe nuk kemi autorizim me lëshu vërtetim”, tregon ai.

Krasniqi tutje thotë se pasi nga laboratori nuk i kanë lëshuar vërtetimin, i është drejtuar përsëri IKSHPK’së, por që përsëri kërkesa e tij është refuzuar.

“Thirri qendrën për informim të IKSHPK, zotëria më shpjegon si janë procedurat për të kaluar kufirin. I them zotëri po e ndiej veten të diskriminuar, si qytetar nuk jam i barabartë me tjerët, jam i dëmtuar dhe doni të më dëmtoni edhe më shumë. Unë kam paguar privat, me vetëdëshirë, nuk ju kam ngarkuar juve, por pse të paguaj prapë për teste deri sa tjetri që është testuar te ju mund të merr vërtetimin dhe as s’ka pagur dhe as nuk ka nevojë të paguaj përsëri”, shton ai.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Edhe qytetarë tjerë që janë testuar në laboratore private janë kthyer prapa nga IKSHPK.

Ndërsa, se nuk po u lëshojnë vërtetime, e kanë pohuar edhe nga disa laboratore në vend. Nga këto të fundit është thënë se qytetarët mund të marrin raporte nga mjekët për gjendjen e tyre por që vërtetime nuk u lëshojnë.

Nga to është thënë se vërtetimet duhet të merren në të ‘shtetit’

Ndërsa, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik jozyrtarisht e kanë konfirmuar për gazetën se ata nuk i lëshojnë vërtetime personave që janë testuar në laboratore private.

Me hyrjen në fuqi të masave të reja Anti-COVID më 27 shtator, paraqitja e një dëshmie për shërimin nga COVID-19 është bërë kusht në raste të caktuara.

Certifikatën e vaksinimit, testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, testin e shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë, apo dëshminë se kanë kaluar virusin COVID-19, do të duhet të paraqesin qytetarët që hyjnë në Kosovë e po ashtu edhe ata që udhëtojnë në disa shtete tjera.

Me hyrjen në fuqi të këtyre masave, dëshmi të tilla po kërkohen edhe me rastin e frekuentimit të hapësirave të mbyllura të restoranteve e kafeve, në qendrat tregtare, teatrot, biblioteka e në aktivitete garuese.

Megjithëse, nuk ka ndonjë zgjidhje për sigurimin e dëshmive nga ana e qytetarëve që nuk po arrijnë të vaksinohen për shkak që së fundmi kanë qenë të infektuar me koronavirus, e që pozitiv kanë rezultuar në testimet e bëra në laboratore private.

(Kosova Sot Online)