Ky është synimi final i projektit të gazsjellësit

  • A.P /
  • 28 September 2021 - 18:34
Ky është synimi final i projektit të gazsjellësit

Projekti për kyçjen e Kosovës në tubacionin ekzistues të gazit në Maqedoninë e Veriut ndërlidhet me synimet globale të dekarbonizimit deri në vitin 2050. Tubacioni i gazit, në rast se do të aprovohet dhe ndërtohet nga Kosova si rezultat i bashkëpunimit me MCC-në, duhet të jetë i gatshëm që më vonë të shfrytëzohet edhe për transportin e hidrogjenit, derisa gazi do të përdoret përkohësisht. Këtë ekskluzivisht e kanë konfirmuar  nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Çështja e projektit që do t’i mundësonte Kosovës lidhjen në tubacionin aktual të gazit që gjendet në Maqedoninë e Veriut ka nxitur debat dhe përplasje brenda Kosovës, meqë është projekt që është propozuar nga MCC-ja amerikane dhe Qeveria e Kosovës ende s’ju ka kthyer një përgjigje definitive nëse do ta përkrahë si të tillë.

Lidhur me këtë çështje, nga MCC-ja (Millenium Challenge Corporation – Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit), kanë konfirmuar se Qeveria e Kosovës me ndihmën e MCC-së është ende në procesin e zhvillimit të një propozimi përfundimtar sa i përket projektit të kyçjes në tubacionin e gazit.

“Një element thelbësor i modelit të MCC-së është shteti si pronar, që nënkupton se programet zhvillohen dhe udhëhiqen nga vendet partnere. Zhvillimi i një projekti në sektorin e gazit është identifikuar si një investim potencial për gjatë analizës fillestare, si dhe me projekte të tjera si kapacitetet e energjisë, reduktimi i humbjeve teknike dhe zhvillimi i fuqisë punëtore. Megjithatë, Qeveria e Kosovës, me ndihmën e MCC-së është ende në procesin e zhvillimit të një propozimi përfundimtar kompakt. Përgjatë kësaj faze zhvillimore, Qeveria e Kosovës do të shfrytëzojë studimet e fizibilitetit, vlerësimet e ndikimit mjedisor dhe social dhe hulumtime e analiza të tjera për të përcaktuar më tej propozimin e saj, duke përfshirë projektet potenciale”, ka thënë  Marc Rockwell-Pate, zëdhënësi i MCC-së.

“Ashtu si me të gjithë partnerët tanë, MCC mban dialog të hapur, transparent, dhe të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës, me ndihmën e MCC-së, është ende në procesin e zhvillimit të një propozimi zyrtar kompakt”, ka shtuar tutje Rockwell-Pate i pyetur nëse kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës lidhur me projektin e gazsjellësit.

Por çfarë përmban në vete projekti për kyçjen e Kosovës në tubacionin ekzistues të gazit që ndodhet në Maqedoninë Veriore. Lidhur me këtë, detaje ka dhënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Nga Ambasada amerikane kanë thënë se zhvillimi i një projekti të tillë që ndërlidhet me gazin natyror do t’ua mundësonte përdoruesve të energjisë një opsion më efikas të energjisë termike, dhe për më shumë do të kontribuonte në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe rezultateve shëndetësore.

Siç ka treguar ky zyrtar amerikan në Ambasadën e SHBA’së në Prishtinë, shumica e financave për tubacionin e gazit natyror që ndërlidhet me Maqedoninë e Veriut dhe më pas edhe me sistemin e larmishëm të Greqisë do të jepen nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim dhe WBIF.

Ky tubacion i gazit që do t’i mundësojë Kosovës të lidhet me rrjetin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, do të dizajnohet në atë mënyrë që të jetë i gatshëm edhe për transportin e hidrogjenit, me qëllim të arritjes së objektivave për dekarbonizim deri në vitin 2050. Pra, gazi do të përdoret si karburant tranzit derisa Kosova të jetë e gatshme për përdorimin e hidrogjenit.

Derisa ka sqaruar se ky projekt nuk ndërlidhet me gazin natyror të lëngshëm e as me ndonjë burim tjetër të gazit amerikan.

“Tubacioni do të dizajnohet që të jetë i gatshëm edhe për hidrogjen, duke u përgatitur kështu për objektivat e dekarbonizimit 2050. Projekti nuk lidhet me gazin natyror të lëngshëm (LNG) dhe as me ndonjë burim tjetër të gazit amerikan. Ai do t’i japë Kosovës mundësinë për të përdorur gazin si një karburant transit derisa të jetë e gatshme për të përdorur hidrogjenin”, ka shtuar tutje ky zëdhënës.

Ndërkohë MCC’ja ka propozuar edhe disa projekte të tjera që ndërlidhen me fushën e energjetikës, meqë konstatojnë se mangësitë e sektorit të energjisë në Kosovë janë duke penguar rritjen ekonomike dhe duke dëmtuar bizneset. Megjithatë projekti për kyçjen në gazsjellës është ai për të cilin është punuar më shumë.

“Një faktor kyç që pengon rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës është infrastruktura e papërshtatshme, veçanërisht infrastruktura energjetike. Derisa Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në sektorin energjitik, paqëndrueshmëria e furnizimit të tanishëm me energji elektrike nga qymyri rrit kostot e operimit për kompanitë dhe kufizon konkurrencën e tyre. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë ndërpresin prodhimin dhe veprimtari të tjera që krijojnë të ardhura, duke imponuar kosto për bizneset dhe familjet dhe duke penguar investimet. Për të lehtësuar shkaqet rrënjësore të kësaj shtrëngese detyruese, qeveria amerikane po punon me Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e projekteve të propozuara që Bordi i Drejtorëve të Korporatës Së Sfidave të Mijëvjeçarit do t’i konsideronte për një Grant potencial në vitin 2022”, ka shtuar tutje.

Lidhur me projektin e kyçjes së Kosovës në gazsjellës ka folur ditë më parë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka konfirmuar se janë duke vazhduar diskutimet dhe se Kosova ende s’mund të japë përgjigje rreth projektit pa e ditur koston finale të tij.

“MCC apo ndonjë organizat tjetër nuk do të financonte tërë projektin, nganjëherë kjo është diçka që është thënë, kemi të bëjmë me një investim disa herë më të madh se kaq, ndërsa granti i MCC do të mund të përdorej për financimin e një pjese të investimit”, ka deklaruar Rizvanolli.

(Kosova Sot Online)