Presidenca: Për SHBA-të, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm

  • A.P /
  • 28 September 2021 - 19:21
Presidenca: Për SHBA-të, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend pas vendimit për reciprocitet të targave me Serbinë.

Në njoftimin e ZPRK-së thuhet se Giacobbe tha se për SHBA-të sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm.

“Giacobbe potencoi se për SHBA-të, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, duke shtuar se dialogu është mënyra e duhur për të vazhduar tutje”, thuhet në komunikatën e ZPRK-së.

Sipas njoftimit, Presidentja Osmani ka thënë se Serbia po tenton ta destabilizojë situatën, gjë që sipas saj është në vazhdën e përpjekjeve  ruso-serbe për zhbërjen e të arriturave të SHBA-ve, BE-së, dhe NATO-së në Kosovë dhe rajon.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm. Ajo vuri theksin te fakti se zbatimi i kësaj mase nga institucionet tona është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, por e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë”, thuhet tutje në komunikatë.

Tutje thuhet se Presidentja Osmani e bëri të qartë po ashtu që Kosova në asnjë moment nuk ka qëllim të eskalojë situatën. Në veçanti, ajo potencoi se përkushtimi kryesor i institucioneve të vendit është mirëmbajtja e rendit dhe ligjit si dhe mbrojtja e secilit qytetarë në Republikën tonë. Duke folur për procesin e dialogut, Presidentja Omani konfirmoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e tij dhe ritheksoi rëndësinë e  trajtimit të barabartë të palëve të përfshira në të.

(Kosova Sot Online)