Vrau policin e Krimeve në Lezhë, vdes Aldi Rama

  • E.K /
  • 29 September 2021 - 08:37
 Vrau policin e Krimeve në Lezhë, vdes Aldi Rama

Aldi Rama, 21 vjeçari që vrau me armë zjarri oficerin e Krimeve, Saimir Hoxha në Lezhë, ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të mërkure në spitalin e Traumës në Tiranë.

Gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, Aldi Rama ka qëlluar veten me pistoletë në fyt në lagunën e Kune-Vainit, ku nuk ka arritur që të mbijetojë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Kune-Vain në Lezhë ku pesë policë shkuan për të asgjesuar një parcelë me 110 bimë kanabisi. Në kthim ata u ndeshën me një automjet të ndaluar në të cilin gjendeshin tre të rinj brenda.

Oficeri që u vra Saimir Hoxha i kërkoi dokumentet 21-vjeçarit Aldi Rama, por ky i fundit refuzoi dhe e qëlloi me plumba në qafë e gjoks.

Polici ndërroi jetë rrugës për në spital, kurse Rama mori automjetin dhe u largua me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën edhe të dy kolegëve të tjerë të Hoxhës. Ata e qëlluan nga mbrapa duke u çarë një gomë të automjetit dhe ai u detyrua ta braktisë duke u fshehur në një zonë me bimësi për disa orë derisa vendosi të qëllojë veten, duke humbur jetën mëngjesin e kësaj të mërkure.

Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal. Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.

(Kosova Sot Online)