Gjeneralët amerikanë: Ikja nga Kabuli, dështim strategjik

  • G.G /
  • 29 September 2021 - 12:38
Gjeneralët amerikanë: Ikja nga Kabuli, dështim strategjik

Largimi i plotë i trupave amerikane nga Afganistani është konsideruar një dështim strategjik nga dy gjeneralë të lartë të SHBA-së.

Gjeneralët Mark Milli dhe Frenk Mek-Kenzi dëshmuan para Kongresit për kaosin me evakuimin e dhjetëra mijëra personave nga Kabuli.

Mek-Kenzi drejton Komandën Qendrore të Amerikës dhe tha të martën se situata mund të ishte ndryshe nëse presidenti Joe Biden do e kishte ndjekur këshillën e tij për të garantuar rendin me 2,500 trupa amerikane.

Sekretari i Mbrojtjes, Loid Ostin, shtoi se gabimi qe që Amerika nuk e kishte kuptuar sa e korruptuar dhe e dobët ishte qeveria që zëvendësuan talibanët.

“Nuk e kuptuam mirë efektin anësor të ndërrimit të shpeshtë dhe pa arsye të komandantëve afganë nga presidenti Gani; efektin e marrëveshjeve të talibanëve me liderët lokalë, dhe efektin demoralizues që marrëveshja jonë me talibanët pati te ushtarët afganë”.

Evakuimet nga Kabuli u përgjakën më 26 gusht nga një sulm kamikaz që la 169 afganë të vrarë dhe 13 pjesëtarë të personelit ushtarak amerikan, raporton oranews.

Sulmi u mor përsipër nga celula lokale e Shtetit Islamik.

“Ekzistojnë mundësi reale që Al-Kaeda ose ISIS-i të forcojnë aspiratat për të sulmuar Shtetet e Bashkuara. Kushtet mund të përkeqësohen në hapësirat afgane që nuk qeverisen mirë përgjatë 12 deri 36 muajve të ardhshëm. Misioni ynë do të jetë më i vështirë, por jo i pamundur,” theksoi gjeneral Milli.

Sekretari Ostin tha se mësimi që është nxjerrë nga largimi prej Afganistanit është se pas 20 vitesh luftë dhe përpjekje për të ndërtuar shtetin e ri afgan, për ta çliruar nga terrorizmi, në fund, Amerika dhe aleatët e saj nuk arritën dot t’i japin zë vetë kombit afgan.

(Kosova Sot Online)