Gjenerali fajëson marrëveshjen mes Trumpit e talibanëve për kolapsin në Afganistan

  • G.G /
  • 30 September 2021 - 09:07
Gjenerali fajëson marrëveshjen mes Trumpit e talibanëve për kolapsin në Afganistan

Kolapsi i qeverisë afgane dhe i forcave të saj të sigurisë mund të lidhet me marrëveshjen mes administratës së ish-presidentit Trump dhe talibanëve të vitit 2020, me të cilën premtohej tërheqja e plotë e trupave amerikane, i thanë Kongresit zyrtarët e lartë të Pentagonit.

Gjenerali Frank McKenzie, komandant i Komandës Qendrore, i tha komisionit për shërbime të armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve se posa numri i trupave amerikane është ulur nën 2.500 si pjesë e vendimit të presidentit Joe Biden në prill për tërheqje të plotë deri në shtator, shpërbërja e qeverisë së përkrahur nga ShBA-ja u përshpejtua.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Dohas pati një efekt vërtet të dëmshëm në qeverinë e Afganistanit dhe në ushtrinë e saj, efekt psikologjik më shumë se gjithçka tjetër, por ne caktuam një datë – të sigurt për atë se kur do të tërhiqeshim dhe kur ata mund të prisnin që e tërë asistenca të merrte fund”, tha McKenzie.

Ai po i referohej marrëveshjes së 29 shkurtit të vitit 2020, e cila u nënshkrua nga administrata e Trumpit dhe talibanët në Doha të Katarit. Në këtë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara premtuan se do t’i tërhqnin plotësisht trupat deri në maj të vitit 2021 dhe talibanët u zotuan për disa kushte, përfshirë ndërprerjen e sulmeve ndaj forcave amerikane dhe atyre të koalicionit.

Qëllimi zyrtar i marrëveshjes ishte raportuar të ketë qenë promovimi i bisedimeve të paqes mes talibanëve dhe qeverisë afgane, por ajo përpjekje diplomatike asnjëherë nuk fitoi hapësirë para se Bideni të vinte në pushtet, në janar të këtij viti, shkruan The Guardian.

McKenzie gjithashtu tha se besonte që nëse ShBA-ja do ta ulte nën 2.500 numrin e këshilltarëve ushtarakë në Afganistan, qeveria e Kabulit në mënyrë të pashmangshme do të rrëzohej dhe se e njëjta do të ndodhte me ushtrinë.

(Kosova Sot Online)