Krizë në zinxhirët globalë të furnizimit, nga vjen vërtet problemi në Britani

  • G.G /
  • 30 September 2021 - 13:22
Krizë në zinxhirët globalë të furnizimit, nga vjen vërtet problemi në Britani

Zinxhirët globale të furnizimit janë në krizë dhe kjo i detyrohet në masë të madhe pandemisë së koronavirusit, thonë mediat në Angli.

Punonjësit kryesorë të këtij zinxhiri thonë se arritën pikën e dorëzimit pasi duruan për muaj të tërë karantinat, kufizimet e udhëtimit dhe programin e vaksinimit anti-Covid-19. Përvojat e tyre në mbarë botën, thotë shtypi anglez, tregojnë se raftet e boshatisura dhe kaosi në pikat e karburantit në Britani ​​nuk janë thjesht për shkak të Brexit.

Madje sipas Dhomes Ndërkombëtare të Transportit dhe grupeve të tjera të industrisë, ekziston rreziku i një ‘kolapsi të sistemit global të transportit’ nëse qeveritë nuk rivendosin lirinë e lëvizjes.

Në një letër të hapur drejtuar krerëve të shteteve që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, grupet bënë thirrje që punonjësve të transportit t’u jepet përparësi për të marrë vaksina të njohura nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Aty theksohet se ky transport ka mungesë punonjësish dhe të tjerë pritet të largohen për shkak të trajtimit jo të mirë gjatë pandemisë. Gjatë Krishtlindjeve të kaluara me mijëra kamionistë nga vende që përfshinin Hungarinë, Slloveninë e Rumaninë i kaluan festat të bllokuar në Angli pasi Franca mbylli kufirin e saj kur në Mbretërinë e Bashkuar pati një rritje të madhe të rasteve me shtamin e ri dhe më infektues të koronavirusit.

(Kosova Sot Online)