Familjarët në pritje të arkivoleve nga Serbia

  • G.G /
  • 30 September 2021 - 14:26
Familjarët në pritje të arkivoleve nga Serbia

Pranë pikës kufitare në Merdare, familjarë, të afërm nga Rezalla dhe organizata joqeveritare po presin trupat e më të dashurve të tyre. Aty është ngritur një tendë, ku janë hapësirat në të cilat do të vendosen arkivolet. Kurse, më pas do të bëhen nderime për shtatë prej trupave që janë identifikime të reja dhe dy ribashkim i trupave që u gjetën në vitin 2014 në Rudnicë.

Këta trupa po zhvarrosen nga varrezat masive në Kizhevak të Serbisë, ndërsa do të priten në pikën kufitare në Merdare.

Riatdhesimi i shtatë trupave të viktimave po realizohet me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës-Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Vetëm në fazën e dytë të gërmimeve të vazhduar më 5 maj, janë gjetur shtatë trupa.

Përkundër fakteve të fshehjeve të krimit, asnjë person ende nuk është i dënuar.

Kosova po kërkon përgjigje për 11 lokacione të tjera, ku dyshohet për trupat e kosovarëve, të cilët u vranë, masakruan e u zhdukën.

Në territorin e Serbisë, në katër lokacione të tjera janë zbuluar varreza masive me trupat e mbi 940 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në vitin 1999. Tash e pesë vjet në Kizhevak të Rashkës janë kërkuar mbetjet mortore të personave që u vranë e u zhdukën gjatë luftës.

(Kosova Sot Online)