Studim: Pilula Molnupiravir ul 50 për qind rrezikun për hospitalizim dhe vdekje nga Covid-19

  • S.A /
  • 01 October 2021 - 13:38
Studim: Pilula Molnupiravir ul 50 për qind rrezikun për hospitalizim dhe vdekje nga Covid-19

Ilaçi eksperimental, Molnupiravir, e ul rrezikun për rreth 50 për qind nga hospitalizomi ose vdekja e pacientëve të rrezikuar nga format e rënda të Covid-19, sipas rezultateve të përkohshme klinike të publikuara të premten.

Kompanitë “Merck” dhe “Ridgeback Biotherapeutics” po planifikojnë që të kërkojnë autorizim për përdorim emergjent të kësaj pilule sa më shpejt që është e mundshme dhe të aplikojnë për leje te rregullatorët në pjesë të ndryshme të botës, shkruan Reuters.Nëse autorizohet, Molnupiraviri, i zhvilluar për të zbuluar gabime në kodin gjenetik të virusit, do të ishte ilaçi i parë oral antiviral kundër Covid-19.

Rivalët farmaceutikë, “Pfizer” dhe “Roche” janë në garë për të zhvilluar një pilulë kundër Covid-19, por deri më tash, vetëm përzierjet me antitrupa janë miratuar për përdorim gjatë trajtimit të pacientëve me Covid-19.

Sipas analizës me 775 pacientë, studimi tregoi se 7.3 për qind e pacientëve që kanë përdorur Molnupiravir janë hospitalizuar ose kanë vdekur 29 ditë pas trajtimit, në krahasim me 14.1 për qind në grupin e pacientëve që morën substancë të rreme. Në grupin e pacientëve që e përdorën ilaçin eksperimental nuk pati të vdekur, ndërsa në grupin tjetër u regjistruan tetë viktima.

Gjatë studimit, të kryer me pacientë nga pjesë të ndryshme të botës, substanca Molnupiravir u përdor për pesë ditë, çdo 12 orë brenda ditës.

Kompania “Merc” tha se pret që të prodhojë 10 milionë doza të këtij trajtimi deri në fund të vitit dhe më shumë doza vitin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online )