Kosovarë, merrni kredi prej 1 tetorit, ja u lehtëson deri në 300 euro qeveria e Albin Kurtit

  • G.G /
  • 01 October 2021 - 14:23
Kosovarë, merrni kredi prej 1 tetorit, ja u lehtëson deri në 300 euro qeveria e Albin Kurtit

Qeveria ka filluar zbatimin e një mase të re nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Ministri i Financave Hekura Murati njoftoi se ka nisur subvencionimi i kredive konsumuese.

“Sot kemi operacionalizuar edhe Masën 3.6 për mbështetjen e likuiditetit familjar që nënkupton subvencionimin e kredive konsumuese.”, shkruajti Murati në Facebook.

Por, kush mund të përfitojë?

Të gjithë personat që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10,000 euro, nga data 1 tetor 2021 e tutje, do të mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë.

Shuma që përfiton secili aplikues që kualifikohet është 10% e shumës së kredisë, deri në maksimumin prej 300 euro.

Shembull:

Nëse kredia është 1,500 euro, subvencionimi do të jetë 150 euro;

Nëse kredia është 3,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro;

Nëse kredia është 5,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro.

Për të përfituar, pasi të keni marrë kredinë nga një institucion financiar i licencuar, duhet të plotësoni formularin për aplikim (i cili do të publikohet ditët në vijim).

Pas konfirmimit të saktësisë së aplikacionit, subvencioni paguhet në llogarinë bankare të kredimarrësit.

Me këtë masë synohet mbështetja e likuiditetit familjar, për të mbuluar shpenzimet sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, apo edhe mbylljen e bilanceve të kredit kartelave, apo çfarëdo shpenzimi tjetër që sadopak do të lehtësonte barrën e familjes.

(Kosova Sot Online)