Me syze dielli në sallë, ish-ushtari i Francës bëhet president me puç ushtarak

  • E.K /
  • 01 October 2021 - 16:11
 Me syze dielli në sallë, ish-ushtari i Francës bëhet president me puç ushtarak

Koloneli Mamady Doumbouya u betua në postin e presidentit të përkohshëm të Guinesë, pasi udhëhoqi një puç për ta rrëzuar presidentin e deritashëm, Alpha Conde.

Sipas një akti të tranzicionit, të publikuar këtë javë, koloneli që e mori postin më të lartë nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Ai u bë udhëheqësi i dytë më i ri i Afrikës. Doumbouya është 41 vjeç.

Puçi është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar. Pas këtij zhvillimi, Guinea u përjashtua nga organizata e vendeve të Afrikës Perëndimore, Ecowas, dhe nga Unioni Afrikan, shkruan BBC.

Qeveria ushtarake e Guinesë ka thënë se ka plane që vendin ta çojë drejt pushtetit civil, por nuk ka saktësuar se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit.

Udhëheqësi i puçit ka thënë se ushtria e ka marrë pushtetin për shkak të korrupsionit masiv, shpërfilljes së të drejtave të njeriut dhe keqmenaxhimit ekonomik gjatë udhëheqjes së presidentit të rrëzuar, Alpha Conde.

Presidenti i përkohshëm ka përvojë ndërkombëtare ushtarake. Ai është trajnuar në Francë dhe madje ka shërbyer për një kohë në forcat e armatosura franceze.

(Kosova Sot Online)