Donika Gërvalla: Prezenca e KFOR-it garanton stabilitet dhe siguri në Kosovë e rajon!

  • E.K /
  • 01 October 2021 - 16:57
Donika Gërvalla: Prezenca e KFOR-it garanton stabilitet dhe siguri në Kosovë e rajon!

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim lamtumirës komandantin e Forcave paqeruajtëse në Kosovë (KFOR), gjeneralmajorin Franco Federici, të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe bashkëpunimin.

Ministrja Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për angazhimin e komandantit Federici, në drejtim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Ajo ka theksuar se prezenca e KFOR-it ka luajtur një rol të rëndësishëm në drejtim të krijimit të një të ardhme të sigurt për Kosovën.

Për më tepër, ka theksuar se kjo prezencë garanton stabilitet dhe siguri jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.

Sipas Gërvallës, institucionet dhe qytetarët e Kosovës kanë vlerësim shumë të lartë dhe besim tejet të madh në KFOR-in për më tepër se dy dekada.

“Qytetarët e Kosovës janë përkrahës të integrimit të Kosovës në NATO dhe për ne mbete aspiratë kryesore të jemi pjesë e kësaj aleance, ashtu si edhe e Bashkimit Evropian”, ka shtuar ajo.

(Kosova Sot Online)