NATO-ja njoftohet për marrëveshjen, Stoltenberg garanton implementim efikas

  • E.K /
  • 01 tetor 2021 - 17:32
NATO-ja njoftohet për marrëveshjen, Stoltenberg garanton implementim efikas

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka garantuar implementim efikas të marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për targat.

Sipas marrëveshjes së arritur, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë të vendosura nga serbët që kundërshtuan reciprocitetin për targat, ndërsa aty do të vendoset KFOR-i. Elementet shtetërore në targat e veturave do të mbulohen me letra ngjitëse, ndërsa do të formohet një grup punues për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Detajet e kësaj marrëveshje sot ia ka përcjellë Stoltenbergut, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në njoftimin e NATO-s për takimin në zyrat e saj, theksohet se është mirëpritur marrëveshja e arritur nën ndërmjetësimin e BE-së.

“Misioni ynë i KFOR-it luan rol kyç për sigurimin e implementimit efikas të kësaj marrëveshje dhe NATO-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar për stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur sekretari Stoltenberg.

Sipas njoftimit, Stoltenberg është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e dy shteteve për nevojën për shtensionim, përmbajtje e kthim në dialog.

“NATO-ja përkrah fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe çdo përpjekje tjetër me synim normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës si rrugën e vetme që çon në një marrëveshje të qëndrueshme politike dhe stabilitet për rajonin. Stoltenberg ka lavdëruar bashkëpunimin NATO-BE për Kosovën si shembull i shkëlqyeshëm i partneritetit strategjik në mes të dy organizatave”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)