Familja Xhafa nga Barja e Mitrovicës ia fal gjakun familjes Mulaku nga Vushtrria

  • G.G /
  • 01 October 2021 - 18:31
Familja Xhafa nga Barja e Mitrovicës ia fal gjakun familjes Mulaku nga Vushtrria

Familja Xhafa nga Barja e Mitrovicës ia ka falur sot gjakun familjes Mulaku nga Vushtrria.

Enver Xhafa ka vdekur dje në aksident komunikacioni të cilin e ka shkaktuar një anëtar i familjes Mulaku, derisa gjakun e tij e fali sot vëllai i tij Ismeti në ceremoninë e varrimt në Bare.

Faljen e gjakut e ka bërë një hoxhë nga Vushtrria i cili ka thënë se familja Xhafa nga Barja po tregon një burrëri të madhe.

“E ka pasë një aksident duke shku me u mundu me punu për familjen edhe vllaznitë. Një burrrni të madhe po e bën kjo familje të cilës i ka ndodhur aksidenti. Sot po ia shtrijnë dorën para këtij populli me ia bo një nder këtij vëllai. Sebepet janë të llojllojshme e kjo familje po na nderon qysh na ka nderu herët edhe vonë, gjithmonë. Nder të madhe na ka bo familja e Bares”.

Kur foli mirë për këtë fshat, hoxha e përmend edhe një ndodhi të njohur me ushtarët e UÇK-së që ka ndodhur në Bare e që sipas tij ka qenë moment krenarie për gjithë Kosovën.

“Jo vetëm sot, por kurrë nuk i harroj momentet më krenare që kanë qenë ato me ushtarët e Bares. Ushtarët e krejt Kosovës me seli në Bare ia rritën autoritetin Kosovës kur arritën me i zënë ushtarët e Serbisë edhe deshi apo nuk deshi Serbia u desht me e pranu të barabartë UÇK-në. Kjo ka qenë krenari për krejt Kosovën jo veç për barelitë, por barelitë e bonë këtë të mirë. Kurrë nuk e harrojmë dhe Allahu i nderoftë të gjithë”, ka thënë hoxha që bëri faljen e gjakut.

(Kosova Sot Online)