Si asgjë: Pardje u dënua me burgim, Sarkozy sot jep autografe për librin e ri

  • G.G /
  • 02 October 2021 - 13:25
Si asgjë: Pardje u dënua me burgim, Sarkozy sot jep autografe për librin e ri

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, të shtunën e nënvlerësoi dënimin e tij për financim të paligjshëm të fushatës së vitit 2012, duke sugjeruar se shumë njerëz kanë dyshime rreth vendimit që e shpalli atë fajtor.

Figura e njohur e bëri komentin e parë pas dënimit gjatë një paraqitjeje në një librari të Parisit, ku po jepte autografe për librin e tij të ri, “Promenades”, që ka të bëjë me ndikimet e tij kulturore dhe letrare.

Qindra njerëz u mblodhën në librarinë “Lamartine” për ta përshëndetur ish-presidentin, pavarësisht vendimit të gjykatës. Sarkozy u dënua me një vit burgim të enjten, por ka pak gjasa që ai të shkojë vërtet në burg.

Ish-politikani i lartë i ka mohuar akuzat dhe është zotuar se do të paraqesë ankesë, veprim që praktikisht e pezullon zbatimin e vendimit. Gjykatësi tha se Sarkozy mund ta vuajë dënimin edhe në shtëpi, me kusht që në trup t’i vendoset një pajisje elektronike për vëzhgimin e vendndodhjes.

Përkrahësit e ish-presidentit e kanë kritikuar vendimin si të motivuar politikisht, por dënimi i dytë këtë vit shënon një rënie të ndjeshme të imazhit të njeriut që e udhëhoqi Francën nga viti 2007 deri më 2012.

(Kosova Sot Online)