Sulm me çekan, katër persona përfundojnë në spital

  • E.K /
  • 02 October 2021 - 15:38
 Sulm me çekan, katër persona përfundojnë në spital

Një burrë sulmoi me çekan tri gra dhe një burrë tjetër të premten në mbrëmje në pjesën qendrore të Londrës.

I dyshuari fillimisht sulmoi dy gra të reja, njëra në të njëzetat e tjetra në të tridhjetat, në Rrugën “Regent”. Policia tha se u telefonua për një incident të dhunshëm rreth mesnatës, shkruan Daily Mail.

Pas sulmit të parë, i dyshuari eci drejt Rrugës “Glasshouse” dhe hyri në një pijetore, ku goditi një grua në të dyzetat dhe një burrë në të pesëdhjetët.

Sigurimi arriti që ta ndalonte të dyshuarin derisa arriti policia dhe e arrestoi atë. Raportohet se i arrestuari është një burrë 38-vjeçar.

Katër viktimat e sulmit u dërguan në spital për trajtim, por asnjëri prej tyre, fatmirësisht, nuk ka pësuar lëndime që ua rrezikojnë jetën.

Një zëdhënës i policisë metropolitane të Londrës tha: “Një burrë 38-vjeçar është ndaluar nga stafi i sigurisë në pijetore dhe është arrestuar nën dyshimin për lëndim të rëndë trupor. Ai është dërguar në mbajtje në një stacion policie në qendër të Londrës.”

(Kosova Sot Online)