Kastrati: Hekuran Murati është ministri më arrogant, po përgatis padi ndaj tij

  • A.P /
  • 03 October 2021 - 21:58
Kastrati: Hekuran Murati është ministri më arrogant, po përgatis padi ndaj tij

Qëndron Kastrati, kandidat për kryetar të Komunës së Kamenicës, njëherësh edhe kryetar aktual i saj, ka kritikuar për qasjen e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, ndaj tij, duke e cilësuar atë si “arrogant”.

Kastrati ka treguar një përvojë që ka pasur me nivelin qendror për çështjen e ndryshimit të pasqyrës financiare.

“Për mu ministri më arrogant është Hekuran Murati. I kam dy përvoja me të. Për shembull Auditori na e dha raportin e kualifikum se në Komunën e Kamenicës ekzistonte një pronë që ajo i ka taku Ranillugut mas decentralizimit. Ajo nuk ishte as keqpërdorim me para, ishte mbivlerësim i pasurisë”, ka sqaruar ai.

“Edhe unë i kërkoj Ministrisë dhe Thesarit iu them t’lutëm ndryshoje, sepse është në regjistra një gabim i paqëllimtë. Auditori na e lejon një gjë të tillë nëse i ndryshon Ministria pasqyrat financiare. Ata thonë jo, nuk e kemi ndryshu për askënd. Ndërkohë ndodhën të njëjtat probleme për Prizrenin, Qeveria vendosi që Prizreni t’ia ndryshojë, që mos me pasë raport të keq të Auditorit për Prizrenit. Tash jemi tu përgatit kallëzim penal ndaj ministrit. Ai nuk mundet duke e keqpërdor detyrën e vet dikun duke mos vepru. Mua më ka shkaktu dëm”, ka shtuar tutje i pari i Kamenicës.

Akuza Kastrati ka pasur edhe ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, për të cilën tha se ia refuzoi propozimin për reformat e arsimit në Kamenicë për kalkulime politike.

“Çka ndodhi? E papritur ke që patëm zgjedhje të përgjithshme. Në njërën anë Kamishi donte t’i merrte atje 50 vota, në anën tjetër për çudi Arbërie Nagavci bëhet me Kamishin, veç me e gjete një mënyrë qysh me marrë një grusht vota”, tha ai. 


(Kosova Sot Online)