Zbulohet kompania e parë shqiptare në dosjen e “Pandora Papers”

  • A.P /
  • 04 October 2021 - 20:48
Zbulohet kompania e parë shqiptare në dosjen e “Pandora Papers”

Shqipëria përfaqësohet në skandalin e “Pandora Papers” nga një politikan dhe 13 kompani, që kanë të paktën një përfitues fundor rezident në vendin tonë. Politikani mbetet ende i panjohur, ndërsa nga lista e kompanive është zbardhur njëra prej tyre.

Konsorciumi i gazetarëve investigativë ndërkombëtarë thotë se në total janë diku mes 27 deri në 29 mijë kompani që përmenden në rreth 12 milionë dosjet e rrjedhura nga katër zyra ligjore ndërkombëtare që i kanë mbrojtur dhe ndihmuar në shmangien e taksave përmes regjistrimit të tyre në vende të njohura si parajsa fiskale.

Nga 13 kompanitë shqiptare, njëra prej tyre është “AL Energy Transmission LTD”. E themeluar në mars 2013 në Ras al-Khaimah, një nga shtatë emiratet që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet një kompanie që jep shërbime për regjistrime ‘offshore’ e quajtur ‘SFM Corporate Services’.

BIRN thotë se nga dokumentet e regjistrimit të kompanisë që ka siguruar nga dosja e “Pandora Papers”, rezulton se përfituesi fundor i kësaj kompanie, pra personi që është pronari dhe kontrollon kompaninë, është një grua 40-vjeçare nga Tirana e quajtur Jola Duro.

Sipas planit të biznesit të kompanisë, të hartuar në shkurt 2013, përpara regjistrimit të saj, Duro listohet si menaxherja e zyrës dhe biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi si menaxher projekti. Sipas faqes në internet të kompanisë, Kallupi është themelues dhe administrator.

“Kompania ka një partner, Z.Vasil Kallupi”, shkruan plani i biznesit, ndërsa bashkëshortja e Vasil Kallupit, Dëshira Kallupi është tezja e Jola Duros.

Sipas planit të biznesit kompania u themelua me një kosto fillestare prej 8,600 euro me qëllimin të ofronte shërbime konsulence në sektorin e energjisë. Sipas të njëjtit dokument të siguruar nga BIRN, stafi i kompanisë kishte eksperiencë në sektorin energjisë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, përfshirë në hartimin e projektit dhe ndërtimin e linjës 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë dhe linjës 110 kilovolt në jug të Shqipërisë, të dyja të kontraktuara nga Energoinvest.

Dokumentet e para nga BIRN përfshijnë gjithashtu një deklaratë të llogarisë bankare të Al Energy Transmission nga banka Bendura me qendër në Lichtenstein, e cila mbulon transaksionit në periudhën nga viti 2013 deri në 2019. Sipas deklaratës, Energoinvest bëri 39 pagesa ndaj kompanisë së konsulencës për një vlerë totale prej më shumë se 3.6 milionë euro.

Transferta më e madhe prej 1.5 milionë euro, është bërë me 26 prill 2013, një muaj pasi AL Energy Transmission u regjistrua.

Shumica e parave nga llogaria janë tërhequr nëpërmjet një kartë debiti për udhëtime, por ka edhe transferta për llogari të Vasil Kallupit, gruas së tij Dëshira dhe nipit të saj, Sokol Sferdelli. Për disa njerëz në Shqipëri Kallupi njihet si ‘Vasili i Vjenës’ për shkak se ai ka jetuar në kryeqytetin e Austrisë në vitet 1990, ndërsa njihet edhe si njeri i afërt me ish-Kryeministrin Fatos Nano.

(Kosova Sot Online)