Lirimi i krerëve të UÇK-së, në dorën e Policisë së Kosovës?

  • G.G /
  • 05 October 2021 - 10:05
Lirimi i krerëve të UÇK-së, në dorën e Policisë së Kosovës?

Paneli i Gjykatës së Apelit ka vendosur lidhur me apelet e mbrojtjes së Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kundër vendimeve të gjykatësit të procedurës paraprake për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim. Është kërkuar më shumë bashkëpunim me Policinë e Kosovës për lirimin e mundshëm me kusht të të akuzuarve.

Sipas njoftimit nga Dhomat e Specializuara, ky panel ka miratuar një arsye apelimi për secilin të akuzuar dhe ia ka kthyer çështjen prapa gjykatësit të procedurës paraprake për vlerësim të mëtejshëm, nëse masat e propozuara nga të paraburgosurit ose çdo kusht tjetër që gjykatësi i procedurës paraprake e identifikon si të domosdoshëm, mund të zvogëlojnë rreziqet e identifikuara dhe të zbatohen në mënyrë efektive nga policia e Kosovës.

LEXO EDHE:

Kurtit i del punë me Spanjën: Ky shtet vjen me një kërkesë për kryeministrin e Kosovës

Ndërkaq, pikat tjera të ankesës janë hedhur poshtë për të tre të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paneli ka konstatuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se përgjigja nga Policia e Kosovës nuk ishte mjaftueshëm e kënaqshme, atëherë ai duhet të kishte pyetur Drejtorin e Policisë për të marrë përgjigjen e detajuar që ai gjeti se mungon, veçanërisht pasi ai ishte ftuar shprehimisht për ta bërë këtë nga mbrojtjet e të akuzuarve dhe përgjigja e Drejtorit të Policisë nënkupton aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar kushtet.

“Paneli kujton se kryerja e një hetimi të tillë do të binte në kompetencat diskrecionale të cilave i është dhënë Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në përputhje me Nenin 39 (13) të Ligjit në lidhje me çështjet e lidhura me paraburgimin, në varësi të rrethanave të rastit. 1 Paneli gjithashtu vëren se Gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka dhënë arsye për të mos urdhëruar Drejtorin e Policisë që të japë një përgjigje të detajuar pavarësisht se e pranon nevojën për të”, thuhet në vendime.

Ky panel ka konstatuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar duke mos e bërë këtë, se ky informacion do ta kishte vënë atë në një pozitë për të vlerësuar nëse Policia e Kosovës mund të zbatojë në mënyrë efektive këto masa, përfshirë ato që ai sugjeroi, si p.sh vizita monitoruese.

Sipas tyre, informacioni më i saktë i këtij lloji do t’i jepte gjyqtarit paraprak një bazë faktike më të plotë dhe solide për të vlerësuar realizueshmërinë e këtyre kushtet, natyrisht pa parashikuar rezultatin e përcaktimit përfundimtar në këto çështje.

Ndryshe, në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

(Kosova Sot Online)