Posta e Kosovës ia sheh sherrin punëtorit të saj, nuk i dorëzoi mbi 2 mijë kërkesa në adresat e caktuara

  • G.G /
  • 06 October 2021 - 10:38
Posta e Kosovës ia sheh sherrin punëtorit të saj, nuk i dorëzoi mbi 2 mijë kërkesa në adresat e caktuara

Posta e Kosovës ka reaguar në lidhje me arrestimin e punëtorit të saj i cili nuk kishte kryer detyrat e tij duke mos dorëzuar mbi dy mijë dërgesa.

Posta në një komunikatë për media ka sqaruar rrethanat e rastit.

“Sqarojmë opinionin e gjerë publik lidhur me rastin e ish postierit me inicialet M.B, të arrestuar dje nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për mos dorëzim të disa dërgesave postare tek palët e adresuara sa ishte punonjës i ndërmarrjes tone”, thuhet në komunikatën e Postës së Kosovës.

“Me të marrë informatat e para nga Drejtoria Operative e Postës së Kosovës, se ish postieri në fjalë nuk po e kryen si duhet detyrat dhe përgjegjësitë e tij edhe pas marrjes së masave disiplinore paraprake, menjëherë për këtë rast është angazhuar Inspektorati i ndërmarrjes. Pasi inspektorati zbulon dhe konstaton keqpërdorimet e ish postierit M.B, ndaj tij janë marr masat ligjore sipas ligjeve në fuqi me largim nga puna, ndërsa departamenti ligjor i ndërmarrjes e ka iniciuar rastin në Polici dhe në Prokurori”, thuhet në komunikatë.

“Posta e Kosovës nuk lejon që t’i dëmtohet imazhi i saj nga ata që keqpërdorin detyrat e tyre të punës,  ndërsa është e përkushtuar maksimalisht të shërbejë me dinjitet e besueshmëri ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.

(Kosova Sot Online)