Vdiq në QKUK gruaja që u helmua nga ushqimi në një restorant, nisin hetimet

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 09:48
Vdiq në QKUK gruaja që u helmua nga ushqimi në një restorant, nisin hetimet

Një person ka raportuar se bashkëshortja e tij ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi ishte helmuar nga ushqimi në një restorant.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, viktima ka vdekur më 4 tetor, ndërkaq është varrosur një ditë më vonë, pa iu bërë obduksioni.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, me urdhër të të cilit kanë filluar procedurat hetimore dhe rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

“QKUK, Prishtinë 04.10.2021 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se bashkëshortja e tij  ka ndërruar jetë si pasojë e helmimit nga ushqimi në restorant  dhe e njëjta është varrosur me datën 5.10.2021 pa u bërë obduksion. Është njoftuar prokurori dhe me urdhër të tij fillojnë procedurat hetimore dhe është iniciuar rasti si më lart”, bëhet e ditur në raportin e policisë.

Ndryshe, vëllai i viktimës ka deklaruar të mërkurën se motra e tij ka vdekur si pasojë e helmimit me ushqim rreth një muaj më parë në fshatin Trudë të Prishtinës.

Ai ka theksuar se motra e tij nuk ka qenë duke vuajtur nga ndonjë sëmundje, madje as nuk ka qenë e infektuar me COVID-19.

“Dyshojmë që edhe mjekët edhe ne që shkaktar  ka qenë helmimi. Motra e ka pasë një intervenim kirurgjik të enjten. Gjendja ka qenë e rëndë me dëmtim të rëndë të zorrëve. Ka qenë në gjendje të rëndë. Ka pasë helmim në të gjithë trupin. Para një muaji kemi pasë të pame në familje. Kanë qenë të helmuar edhe 80 persona të tjerë, të cilët kanë pasur simptoma të helmimit. 99 përqind shkaktar i vdekjes së motrës është helmimi”.

(Kosova Sot Online)