Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Gucati e Haradinaj

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 10:44
Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Gucati e Haradinaj

Në Hagë ka nisur seanca e parë e gjykimit në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Të pranishëm në seancën gjyqësore janë Gucati dhe Haradinaj.

Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj u konfirmua më 14 dhjetor 2020. Ajo mbështetet “në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate”.

Gucati dhe Haradinaj kanë mohuar akuzat. Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

(Kosova Sot Online)