U paraqit sikur është djalë dhe ngacmoi e kanosi të dëmtuarën, e akuzuara del para Gjykatës Themelore në Prishtinë

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 12:44
U paraqit sikur është djalë dhe ngacmoi e kanosi të dëmtuarën, e akuzuara del para Gjykatës Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në procedurë ndërmjetësimi lëndën ndaj të akuzuarës A.B, e cila  ngarkohet me tri vepra penale.

Para leximit të aktakuzës, prokurori Besart Mustafa, deklaroi se në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në vitin 2020 kishin pranuar një parashtresë nga avokatja Keqkolla-Sadiku, e cila e përfaqëson me autorizim të dëmtuarën D.D, ku shkruan ndër të tjera se e dëmtuara nuk kërkon ndjekje penale dhe nuk kërkon kompensim material për dëmin e shkaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, i njëjti deklaroi se meqenëse këto vepra ndiqen sipas detyrës zyrtare do të vazhdojë me leximin e aktakuzës dhe pas leximit të saj, gjykatësi Ertan Sejfulla, e informoi të akuzuarën A.B mundësinë e zgjedhjes së kësaj çështje në procedurë ndërmjetësimi.

Në këto rrethana, e akuzuara deklaroi se është e pajtimit të vazhdojë në ndërmjetësim, pasi sipas saj tani i kishte rregulluar raportet me të dëmtuarit.

Në këto kushte gjykatësi Sejfulla, kontaktoi përmes telefonit palët e dëmtuara për t’i pyetur nëse edhe ata janë të pajtimit që të vazhdojnë në këtë procedurë, dhe të njëjtit u pajtuan me propozimin e gjykatës.

Më një propozim të tillë u pajtua edhe prokurori Mustafa si dhe i njëjti u aprovua edhe nga gjykatësi Sejfulla.

Aktakuza e përpiluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në tetor të 2019-ës, ngarkon A.B se nga viti 2017 deri në vitin 2019, në Prishtinë, me qëllim të ngacmimit dhe  frikësimit, të dëmtuarën D.D e ka ngacmuar në Facebook me llogari në emrin Rron Berisha.

Tutje sipas aktakuzës, kur e dëmtuara D.D e ka paraqitur rastin në polici, e akuzuara e thërret në telefon dhe i kërkon ta mbyll këtë rast, pastaj të njëjtës e akuzuara i shkon në vend të punës dhe kërcënon me largim nga puna, ndërsa në verën e vitit 2019, e ngacmon duke publikuar foton e djalit të të dëmtuarës në Instagram.

Gjithë këto veprime kanë shkaktuar shqetësime të mëdha emocionale të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 186, paragrafi 1, lidhur me nenin 81 të Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Gjithmonë sipas aktakuzës A.B akuzohet se gjatë vitit 2018, pa autorizim përmes telefonit të saj iPhone 6s ka hapur llogarinë në Facebook të të dëmtuarës D.D dhe ka fshirë ngacmimet që ia kishte bërë nga llogaria me emrin Rron Berisha dhe komunikime të tjera.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së korrespondencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike” nga neni 202, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme dënohet me gjobë dhe me burgim deri në gjashtë muaj.

Sipas të njëjtës aktakuzë, A.B akuzohet se gjatë viti 2018 ka kanosur seriozisht të dëmtuarin S.S, pasi që të njëjtin e ka kontaktuar për t’i kërkuar që të mbyllet rasti, ku e dëmtuara ishte D.D, vajza e të dëmtuarit S.S, e kishte kanosur me fjalë të dëmtuarin S.S duke i thënë “ti nuk e njeh babin tim është shumë i vështirë, se unë çka du ju bëj juve, se me mbyllë lëndën bëhet belatë”.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 185, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë. 

(Kosova Sot Online)