Dëshmitari i parë në rastin e Gucatit dhe Haradinajt paraqitet më 18 tetor

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 14:16
Dëshmitari i parë në rastin e Gucatit dhe Haradinajt paraqitet më 18 tetor

Dëshmitari i parë në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt do ta japë dëshminë e tij më 18 tetor kur edhe do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

Kryetari i OVL-së së UÇK-së Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj janë deklaruar sërish të pafajshëm para Dhomave të Specializuara sot kur ka nisur seanca ndaj tyre.

Prokurorët në seancën e sotme kanë paraqitur para trupit gjykues prova që, sipas tyre, dëshmojnë se ish-krerët e OVL-së së UÇK-së kanë penguar punën e Gjykatës Speciale në Hagë, kanë frikësuar dëshmitarë dhe familjarë të tyre dhe i kanë kërcënuar duke i quajtuar ata tradhtarë dhe spiunë.

Prokurorët në cilësinë e provave kanë paraqitur konferencat të cilat Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj i kanë mbajtur duke bërë publike sipas tyre disa dokumente të cilat përmbajnë emra dëshmitarësh e dëshmi të tyre për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në disa prej provave që paraqitën prokurorët ishin edhe postime të Nasim Haradinajt në llogarinë e tij sociale në Facebook e po ashtu edhe disa prej deklarimeve të ish-krerëve të OVL UÇK-së nëpër televizione në Kosovë.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj akuzohen për pengim të punës së Dhomave të Specializuara, frikësim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurave.

Aktakuza ndaj tyre u konfirmua më 14 dhjetor 2020. Krerët e OVL-së së UÇK-së janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

(Kosova Sot Online)