Kurti nuk e ka ndërmend të heq dorë nga reciprociteti, ia bën të qartë edhe BE-së

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 14:49
Kurti nuk e ka ndërmend të heq dorë nga reciprociteti, ia bën të qartë edhe BE-së

Albin Kurti përsëriti para përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borell se reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin do të mbështeten veprimet e shtetit të Kosovës.

Takimi i tij me Borell u zhvillua në Bërdo të Sllovenisë, në një pauzë të samitit BE-Ballkani Perëndimor. Sipas deklaratës së lëshuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Borrell e ka mirëpritur marrëveshjen mes Prishtinës e Beogradit për targat e automjeteve dhe shtoi se kjo “do të duhej të shërbente si një moment i ri për të përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare” mbi normalizimin e marrëdhënieve.

Në 30 shtator, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e bllokut europian arritën ujdinë që synonte shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Paraprakisht, banorët serbë atje kanë bllokuar dy vendkalimet kufitare me Serbinë-Jarinjën dhe Bërnjakun, në shenjë kundërshtimi ndaj masave të reciprocitetit që ka ndërmarrë Kosova ndaj automjeteve me targa të Serbisë. Në 20 shtator, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që shoferët e makinave me targa të Serbisë, t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme gjatë kohës që udhëtonin në Kosovë.

Masa të ngjashme për makinat me targa të Kosovës, Serbia kishte 10 vjet që i zbatonte. Kurti dhe Borrell në fund “u pajtuan se dialogu është platforma përmes së cilës palët arrijnë t’i zgjidhin çështjet e pazgjidhura”.

(Kosova Sot Online)