'Reuters'-i raporton për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 14:51
'Reuters'-i raporton për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u deklaruan të pafajshëm të enjten para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë nën akuzat për pengim dhe kanosje për zbulimin e emrave të dëshmitarëve të mbrojtur, shkruan “Reuters”.

Prokurorët pretendojnë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët drejtojnë organizatën, u dhanë mediave dhe politikanëve të Kosovës dokumente konfidenciale të gjykatës vitin e kaluar që përfshinin emra dhe të dhëna personale nga dëshmitarët e përfshirë në rastet e krimeve të luftës.

Sipas prokurorit special, Jack Smith, ekziston një “grup i vogël por i fuqishëm” në Kosovë që kundërshton gjykatën dhe do të bëjë gjithçka për të nxitur “një tregim të rremë” se nuk ka pasur krime të UÇK-së gjatë konfliktit 1998-1999 me Serbinë.

“Këta të akuzuar janë pjesë e këtij grupi që dëshiron që kjo gjykatë të largohet me çdo kusht”, u tha Smith gjyqtarëve.

Gucati dhe Haradinaj rrezikojnë një gjobë dhe një dënim me burg deri në 10 vjet nëse dënohen.

“Unë jam i pafajshëm, nuk kam lidhje me asnjë nga pikat në aktakuzën e konfirmuar”, tha Gucati.

Edhe Haradinaj u deklarua i pafajshëm në gjykatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Organizata e Veteranëve ushtron ndikim të konsiderueshëm në Kosovë, ku shumë ish-luftëtarë të UÇK-së tani janë në pozita politike dhe veteranët e UÇK-së konsiderohen si heronj kombëtarë.

Më shumë se 13,000 njerëz besohet të kenë vdekur gjatë luftës, kur Kosova ishte ende pjesë e Serbisë nën sundimin e presidentit të ndjerë jugosllav Slobodan Milosheviq. Luftimet përfunduan pas sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave të Milosheviqit dhe Kosova njihet si një vend i pavarur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve evropiane.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në 2015 nën presionin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në mënyrë specifike për të gjykuar krimet e kryera nga ish-ushtarët e UÇK-së, por mbështetësit e veteranëve e shohin atë si të padrejtë.

Kanosja e dëshmitarëve ka qenë një problem për prokuroritë vendore të krimeve të supozuara të UÇK-së në të kaluarën. Kjo është një nga arsyet pse Dhomat e Specializuara të Kosovës janë vendosur në Hagë dhe kanë staf ndërkombëtar. 

(Kosova Sot Online)