Dy burra shpëtohen në det 29 ditë pas zhdukjes, mbijetuan me portokaj e ujë të shiut

  • G.G /
  • 08 October 2021 - 09:14
Dy burra shpëtohen në det 29 ditë pas zhdukjes, mbijetuan me portokaj e ujë të shiut

Dy burra nga Ishujt Solomon, të cilët ishin të humbur në det për 29 ditë, pasi pajisja e tyre e GPS-së u prish, janë shpëtuar afër brigjeve të Papua Guinesë së Re – 400 kilometra larg vendit ku e kishin filluar lundrimin.

Livae Nanjikana dhe Junior Qoloni ishin nisur nga Ishulli Mono në mëngjesin e 3 shtatorit në një barkë të vogël me motor, shkruan The Guardian.

Ata kishin planifikuar që të lundronin 200 kilometra në jug të qytezës Noro të Ishullit New Georgia, duke i shfrytëzuar dy ishuj në të majtën e tyre si tregues për drejtimin e lundrimit.

Sidoqoftë, vetëm pak orë pas fillimit të lundrimit, burrat u përballën me reshje të dendura shiu e erë të fuqishme, duke e vështirësuar pamjen nga bregdeti që duhej ta ndiqnin.

“Kur erdhi moti i lig, u bë keq, por u bë edhe më keq dhe ishte diçka e frikshme kur u prish GPS-ja. Nuk mund të shihnim se nga po shkonim, prandaj thjesht vendosëm që ta ndalnim motorin dhe të prisnim”, tha njëri nga burrat.

Duke mbijetuar me portokaj që i kishin paketuar për t’i ngrënë gjatë lundrimit, arra të kokosit që i kishin gjetur në det dhe me ujë të shiut, të mbledhur përmes një cope të velës, ata lundruan për rreth 400 kilometra drejt veriperëndimit për 29 ditë, kur më në fund panë një peshkatar afër bregdetit të Papa Guinesë së Re.

“Nuk e dinim se ku ishim, por nuk prisnim që të jemi në një shtet tjetër”, tha Nanjikana. Burrat ishin aq të dobët kur arritën në qytezën Pomio më 2 tetor, saqë u desh të barteshin nga barka dhe të dërgoheshin në një shtëpi.

(Kosova Sot Online)